“Ishin të mbytur në borxhe”/ Flet i afërmi i familjes Shkambi: Nuk e donim vrasjen e gjyqtarit

Gjyqtari Astrit Kalaja, një emër me mbi 25 vite karrierë në sistemin e drejtësisë, mbeti i vrarë në vendin që do të duhej të ishte më i sigurt, në sallën e gjyqit. Salla numër 3 e Gjykatës së Apelit, ku pritej të zhvillohej një proces civil për çështje pronësie u shndërrua në një tragjedi.

Ajo që do të duhej të ishte një seancë e zakonshme, nxori edhe njëherë në sipërfaqe, mesazhin e fortë antisistem në Shqipërinë e zhytur në koma nga konfliktet e pronësisë. Një vendim gjyqësor u mbyll me krisma. Çështja që po shqyrtohej ishte një dosje që vinte nga saga e pronës të ashtuquajtur “Skënderbeg” në Shkodër. Një histori që kishte mbartur tensione për dekada, vendime të kundërta, përmbarues të kërcënuar, palë të gjobitura, institucione që nuk gjenin dot fundin e së drejtës.

Në atë seancë, ku palët ishin paditësit Rakip dhe Ervis Kurtaj, kundër përmbarueses gjyqësore të Shkodrës. Si palë të treta ishin regjistruar Gjon Shkambi, xhaxhai i autorit, dhe Elvis Shkambi, 30-vjeçari që do të vuloste me plumba fundin e një kapitulli tragjik.

“Në radhë të parë u shpreh ngushëllime familjarëve të Astrit Kalasë. Nuk e donim si ngjarje. Elvisi dhe Gjoni kanë qenë në hallet e veta. Kanë qenë të mbytur në borxhe. Kanë blerë godinën në truallin e tyre. Fajet ua ka Lorenc Luka, ish-kryetari i Bashkisë, i cili u ka shit godinën në një prone të kthyer në vitin 1996. Ai ua ka të gjitha fajet. Nuk e kanë konsultuar krimin me askënd” deklaroi Pal Shkambi, familjari i Elvis dhe Gjon Shkambit./Top Channel


Shtuar 15.10.2025 22:33