Ishin shpallur në kërkim për rrëmbimin dhe vrasjen e Renis Dobrës, pamje nga arrestimi i dy vëllezërve Bushgjoka (VIDEO)

Aleksandër Bushgjoka dhe Krist Bushgjoka, të shpallur në kërkim prej 16 korrikut, janë vënë në pranga.

Dy vëllezërit akuzohen për rrëmbimin dhe ekzekutimin e 23-vjeçarit Renis Dobra. Sipas dosjes hetimore, ata e morën peng, e dhunuan brutalisht dhe më pas e mbytën me litar.

Pas krimit makabër, trupi i pajetë u hodh bashkë me makinën e tij në liqenin e Shkopetit, ku u gjet pas disa ditësh kërkimesh.

Njoftimi i policisë:

Gjatë 24 orëve të fundit, finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, një tjetër operacion për kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar dhe kombëtar. Operacioni policor i koduar “Operacionalja 68”, u zhvillua në bashkëpunim me Forcën Speciale RENEA.

Kapen në Tiranë dhe vihen në pranga 2 vëllezërit e njërit prej autorëve të vrasjes nëpërmjet strangulimit, të shtetasit R. D., më datë 08.07.2025, në Burrel.

Të arrestuarit, të dyshuar si bashkëpunëtorë për rrëmbimin dhe mbajtjen peng të shtetasit R. D.

Në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe kombëtar, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh siguruan informacion për vendndodhjen e 2 vëllezërve të shpallur në kërkim.

Bazuar në këtë informacion, u organizua dhe u zhvillua në bashkëpunim me shërbime të Forcës Speciale RENEA, operacioni i koduar “Operacionalja 68”, për kapjen e tyre. Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kapën në një apartament në Tiranë dhe ndaluan shtetasit:

-K. B., 29-vjeç dhe A. B., 24-vjeç, vëllezër.

Këta shtetas ishin shpallur në kërkim bazuar në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, si të dyshuar për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim.

Nga hetimet dyshohet se 2 të ndaluarit, në bashkëpunim me vëllanë e tyre, shtetasin F. B., dhe me shtetasin P. H. alias P. C., 55-vjeç (të arrestuar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit”), kanë rrëmbyer dhe mbajtur peng shtetasin R. D., 23-vjeç, trupi i pajetë i të cilit u gjet në liqenin e Ulzës, Shkopet.

2 shtetasit e kapur iu dorëzuan Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, për veprime të mëtejshme.