Ishin përdorur në vepra të ndryshme penale, Policia e Kosovës shkatërron 1500 armë

Mbi 1 mijë e 500 armë të llojeve dhe kalibrave të ndryshme janë asgjësuar sot nga Policia e Kosovës.

Këto armë ishin konfiskuar nga Policia e Kosovës në operacione të ndryshme në tërë territorin e Kosovës.

Shkatërrimi i armëve të llojeve të ndryshme të cilat janë konfiskuar në raste të ndryshme penale është lejuar me vendim të gjykatës, pasi që për të gjitha kanë përfunduar të gjitha procedurat gjyqësore.

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviç tha për Telegrafin se këto armë janë konfiskuar në kuadër të aktiviteteve të PK-së në luftën kundër krimit.

“Policia e Kosovës në aktivitetet e saj në luftën kundër krimit ka konfiskuar një numër të madh të armëve, mesatarisht 1500-2000. Në bashkëpunim me UNDP ne sot po asgjësojmë këto armë të cilat u kanë takuar personave që kanë kryer vepra të ndryshme penale”, tha Jankoviç.

Nga ana tjetër Përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP-së në Kosovë, Nuno Queiros u shpreh për Telegrafin se me asgjësimin e këtyre armëve ne po ofrojmë mjedis më të sigurt.

“Është kënaqësi të jem sot këtu. Kjo është pjesë e bashkëpunimit tonë UNDP-Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës. Është pjesë e mbështetjes së Ministrisë dhe Policisë së Kosovës në trajtimin e armëve. Nga viti 2013 e deri më sot janë mbi 15 mijë armë të cilat i kemi asgjësuar. Sot konkretisht kemi asgjësuar më shumë se 1 mijë e 500 armë. Ajo që është e rëndësishme për Kosovën është se çdo armë që sot po e asgjësojmë nuk është më në duart e kriminelëve, dhe ne kështu mund të sigurojmë personat dhe të punojmë për sigurinë në Kosovë”, tha Queiros.


Shtuar 20.09.2023 16:52