Policia ka dhënë detaje të reja, sa i përket ngjarjes duke informuar se, ish-shefi i Rrugores së Vlorës, aktualisht oficer i Policisë Kufitare Dibër, Ardian Isufi, dhunoi së bashku me një person me precedent kriminalë një 18-vjecar, kamerier në lokal, për shkak se porosia e ardhur kishte një shishe ujë më tepër.
Në njoftimin ku bëhet me dije se Isufi është pezulluar nga detyra, policia njofton gjithashtu se ish-shefi i Rrugores momentalisht ndodhet në spital.
Kjo pasi pronari i barit, kur ka parë skenën dhe faktin që kamerieri i tij është dhunuar, ka ndërhyrë duke e rrahur.
Njoftimi:
Pas përfshirjes jashtë orarit të shërbimit në një konflikt fizik, në ambientet e një lokali në lagjen “Pavarësia 2”, Vlorë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra, deri në sqarimin e plotë të rrethanave, të oficerit të Policisë Kufitare Dibër.
Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur ndaj Nënkomisar A. I., me detyrë Oficer Policie në Komisariatin e Policisë Kufitare Dibër, procedurën disiplinore të rëndë, bazuar në Ligjin nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, që parashikon masa për:
-raste të sjelljeve që diskreditojnë imazhin dhe dëmtojnë besimin e publikut tek Policia e Shtetit, të kryera jashtë ushtrimit të detyrës;
-kryerjen e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të policisë, institucionit apo shërbimit policor në tërësi.
Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se Nënkomisar Ardian Isufi, jashtë shërbimit dhe në shoqërinë e shtetasit L. B., 57-vjeç, banues në lagjen “Pavarësia”, Vlorë, është konfliktuar fillimisht fizikisht me shtetasin A. B., 18-vjeç. Pas përshkallëzimit të konfliktit, janë përfshirë edhe shtetasit V. B., 53-vjeç, pronar i një hoteli në lagjen “Pavarësia 2”, dhe E. M.
Aktualisht, Nënkomisar A. I. ndodhet i shtruar në Spitalin Rajonal Vlorë.
Për këtë rast vijojnë veprimet procedurale nga oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.
Policia e Shtetit mbetet e vendosur të reagojë me vendosmëri ndaj çdo rasti që cenon besimin e qytetarëve. Ajo fton qytetarët të denoncojnë çdo veprim të paligjshëm apo sjellje të papërshtatshme nga punonjësit e saj, duke garantuar trajtim të paanshëm dhe konform ligjit.