Këtë të mërkurë, ish-kryeministri dhe njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike, Sali Berisha,u shpreh para mediave se në vjeshtë do të nisë aksionin opozitar, kundër largimit të kryeministrit Edi Rama nga pushteti.
Në fjalën e tij, Berisha tha se largimi i tij është kushti i të gjitha kushteve që qytetarët të vendosin për qeverinë e ardhshme me vullnetin e tyre.
Berisha shton më tej se PD do bëjë çdo gjë për të mobilizuar shqiptarët për votën e tyre, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjithë diasporën.
“Opozita dhe shqiptarët duhet ta kenë dhe e kanë të qartë se kurrë me Edi Ramën nuk mund të votojnë si qytetarë të lirë. Largimi i Ramës është kushti i të gjitha kushteve që qytetarët të vendosin me vullnetin e tyre për qeverinë e ardhshme. Ndaj dhe PD do bëjë cdo gjë për të mobilizuar shqiptarët për votën e tyre, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjithë diasporën, ndaj përfaqësuesve të narkoshtetit në diasporë. Ata janë përfaqësues të shtetit armik të votës së lirë të shqiptarëve dhe kemi të bëjëm me një diktaturë autokratike që ka si forcë lëvizëse drogën, krimin dhe vjedhjen e shqiptarëve. Ndaj dhe qëndresa e përgjithshme e qytetarëve shqiptarë është rrugëdalja nga kjo situatë”,– tha Berisha.