Ish-kryediplomati suedez: Çfarë mund të ndodhë në Rusi pas rrëzimit të Vladimir Putinit?

Nga Carl Bildt “Project Syndicate

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Cila mund të jetë e ardhmja e vendit, tani që Rusia është dëmtuar dhe dobësuar kaq shumë nga lufta e pamatur e presidentit Vladimir Putin në Ukrainë? Skenarët e besueshëm variojnë nga një uzurpimi i pushtetit nga një këshilltar sigurie i linjës së ashpër si Nikolai Patrushev, deri tek një fitore në zgjedhjet e lira nga një disident si Alexei Navalny.

Por një gjë është thuajse e sigurt:regjimi i Vladimir Putinit nuk do t’i mbijetojë dot luftës që e filloi vetë. Tek e fundit, i ashtuquajtura pushtet vertikal i Putinit mund të përfshijë shumë fusha ekonomike dhe politike, por ajo varet plotësisht nga kontrolli i rreptë nga lart.

E gjithë struktura do të fillojë pa dallim që të shkërmoqet pasi ai kontroll të dobësohet, dhe teksa grupime dhe interesa të ndryshme do të nisin manovrat e tyre për të shpëtuar atë çka mundin nga kolapsi i pashmangshëm. Fuqia kryesore e sistemit, kontrolli i plotfuqishëm nga lart-poshtë, do të shndërrohen në dobësinë e tij fatale.

Kjo “periudhë e re telashesh” – një temë kjo e përsëritur në historinë ruse – do të shfaqet menjëherë pas largimit nga pushteti të Vladimir Putinit. Por mbetet për t’u parë se cilat forca politike do të dalin në skenë pas rënies së tij. Unë mendoj se shtysa për të vazhduar katastrofën e Putinit në Ukrainë do të jetë shumë e zbehtë.

Putini e filloi vetë këtë luftë, dhe ne e dimë që zyrtarët e tij të lartë të sigurisë nuk kanë qenë asnjëherë entuziastë për atë. Kjo ishte e qartë që në takimin e famshëm televiziv të Këshillit të Sigurisë të Kremlinit më 21 shkurt 2022.

Edhe pas një viti represioni dhe propagande të pamëshirshme, mbështetja publike e rusëve për luftën e Putinit është në rastin më të mirë tejet e vakët. Sondazhet tregojnë se shumica e tyre janë në favor të fillimit të bisedimeve të paqes. Çdo udhëheqës apo fraksion që do të dalë në skenë pas ikjes së Putinit, do të detyrohet që ta shndërrojë në një prioritet dhënien sa më shpejt fund të luftës në Ukrainë.

Është e vërtetë, që kjo nuk do të thotë se do të jetë e lehtë të ndërpriten luftimet, e lëre më pastaj të rikthehemi tek statuskuoja e vjetër para pushtimit. Në mënyrë të pashmangshme do të ketë disa zëra që do të bëjnë thirrje për një axhendë imperialiste edhe më agresive.

Dhe këta të fundit do të jenë të dëshpëruar për të triumfuar në luftën e egër për pushet, për shkak të frikës për jetën dhe stilit të tyre të jetesës. Por në kushtet ku opinioni publik e mbështet qartë përfundimin e luftës, kur po shpërbëhet vertikaliteti i pushtetit të Putinit, dhe kur makineria represive e Kremlinit është në kaos, pretendentët do të angazhohen në një betejë të fortë.

Për më tepër, kohërat e telasheve kanë prodhuar historikisht kërkesa për një qeverisje më përfaqësuese. Për shembull, dekadat e fundit të carizmit u dominuan nga thirrjet për një kushtetutë demokratike, dhe projekte të ngjashme u ndoqën në vitet pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

Nuk ka asnjë arsye pse këtë herë do të jetë ndryshe. Është e vërtetë:nuk ka shumë gjasa që opozita demokratike e Rusisë të dalë nga burgu dhe internimi për të marrë frerët e pushtetin. Por kjo nuk do të thotë se duhet të neglizhohet kjo lëvizje.

Edhe në rrethana shumë represive dhe të padrejta, mbështetësit e Navalny-t kanë arritur që të fitojnë 20-30 për qind të votës popullore, dhe mbështetja e tij nga votuesit më të rinj dhe më urbanë është bërë me kalimin e kohës akoma më e fortë. Kanali i Navalny në YouTube shihet nga dhjetëra miliona njerëz.

Kjo shifër është edhe më e madhe kur llogariten edhe shtohet transmetimet nga media të tjera të pavarura. Një skenar që nuk ka shumë gjasa që ndodhë është shpërbërja e Federatës Ruse. Në përpjekjet e tij për të siguruar mbështetje për luftën, regjimi i Putinit e ka paraqitur këtë skenar si një qëllim të qartë të Perëndimit.

Në fakt, Perëndimi nuk synon asgjë të tillë. Kur Çeçenia shpalli pavarësinë e saj në 1991, nuk pati asnjëherë ndonjë iluzion se qeveritë perëndimore do ta mbështesnin atë. Dhe megjithëse çështja e Çeçenisë do të mbetet e diskutueshme, një miratim perëndimor i pavarësisë së Çeçenisë nuk do të ndodhte kurrë.

Edhe spekulimet për pavarësinë e republikave në Lindjen e Largët dhe Siberi, janë po aq të pabaza. Kujtoni pak protestat e mëdha publike në Vladivostok në vitin 2020. Dikush mund

të shihte flamujt bjellorus (opozitës) dhe ukrainas duke u valëvitur si simbole të demokracisë. Por protestuesit nuk kishin iluzione për arritjen e pavarësisë për një zonë gjeografikisht aq të madhe, por shumë pak të populluar dhe aq pranë Kinës.

Në çdo rast, sot ekziston çdo arsye që të supozohet se elitat brenda strukturës së pushtetit në Moskë ruse, po eksplorojnë në mënyrë të fshehtë mundësitë që mund të shpalosen për Rusinë pas rrëzimit të Putinit.

Në kushtet e afrimit të zgjedhje të programuara presidenciale të 2024-ës, e ardhmja politike e vendit është një temë legjitime dhe madje urgjente për t’u debatuar. Në fund, fati i Rusisë do të vendoset nga populli i saj. Edhe ndryshimit i regjimit është një detyrë që u takon vetëm atyre.

Por kjo nuk do të thotë se Perëndimi duhet të mos ndikojë tek arritja  e këtij rezultati.

Përkundrazi, politikë-bërësit perëndimorë duhet të kërkojnë mënyra për të krijuar kushtet dhe stimujt e nevojshëm, që në fund të triumfojnë forcat me një mendësi më demokratike. Putini nuk është i pavdekshëm, dhe dobësia e tij politike po bëhet çdo ditë e më e dukshme.

Shënim:Carl Bildt, ish Ministër i Jashtëm i Suedisë në vitet 2006-2014 dhe kryeministër gjatë viteve 1991-1994. Ka shërbyer si i dërguar i posaçëm i BE-së në ish-Jugosllavi dhe si i dërguar i posaçëm i OKB-së në Ballkan.


Shtuar 19.01.2023 18:35