Ish- i dërguari i BE-së për Kosovën Ambasadori Wolfgang Petritsch e ka cilësuar propozimin franko-gjerman si një hap të ndërmjetëm drejt njohjes reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai tha se rruga evropiane e Serbisë është e kushtëzuar me njohjen e Kosovës dhe njëkohësisht i bëri thirrje kryeministrit Kurti dhe Presidentit Vuçiq që përfundimisht ta marrin vendimin politik për ta mbështetur dhe zbatuar propozimin gjermano-francez.
Petritsch tha se përmes propozimit BE-ja do që të përshpejtojë negociatat me Beogradin, por njëkohësisht që ta shtyjë përpara edhe aplikimin e Prishtinës për anëtarësim në BE.
Ai tha se Bashkimi Evropian po kërkon themelimin e një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe që nuk ka fuqi ekzekutive dhe as legjislative dhe që nuk është një lloj i Republikës Serbe, një shembull sipas tij shumë i keq. Kjo është intervista e tij për rtv21.
Një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të ecur përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve u arrit në Bruksel në fillim të javës. Nuk ka një entuziazëm të madh për marrëveshjen. Në fakt çfarë solli ky moment, sipas jush?
Ambasadori Petritsch: Para pak ditësh e thash në televizionin austriak se kjo marrëveshje ka potencial dhe e nënvizoj, ka potencial, për një hap historik përpara për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve fqinje. Mendoj se kjo është. Prandaj nuk ka entuziazëm as në Prishtinë dhe as në Beograd dhe në Beograd mbase edhe më pak sepse, në opinionin tim, është një hap i rëndësishëm përpara shumë i mirë dhe i balansuar.
Por duket se pajtueshmëria e palëve që të mos e negociojnë tutje planin u bë me një lloj trysnie ndërkombëtare. Modeli “merre ose lëre” a nuk ishte një lloj hendikepi për Kosovën dhe Serbinë?
Amnbasadori Petritsch: Më lejoni ta them kështu: Negociatat nuk kanë nisur tani në Bruksel. Ky nuk ishte takimi i parë. Unë besoj se të dyja palët e dijnë shumë mirë dhe e kanë përcjellur përfshirjen aktive prej më shumë se dhjetë vjetësh këtë dialog ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Mendoj se propozimi gjermano-francez, pra është një propozim, është rezultat i hulumtimeve dhe leximit të kujdesshëm i të dyja palëve. Prandaj, për të negociuar, jam i sigurt se mund të flitet për këtë ose atë, por besoj se kjo për të dyja palët është e bazuar në përvojën e BE-së, Gjermanisë dhe Francës, dhe qartë Brukselit në atë se çfarë duhet të bëhet. Dhe për mendimin tim ky është një propozim shumë i balansuar dhe tani të dyja palët duhet të marrin vendim politik për të thënë po ose jo.
Pra ju po kërkoni nga ata që të keni kurajo për të thënë po ose jo?
Ambasadori Petritsch: Absolutisht. Mendoj se tani është koha jetike për presidentin e Serbisë dhe kryeminstrin e Kosovës që të bëjnë hapin përpara dhe të demonstrojnë kurajo. Është e qartë se jo çdo gjë aty është në pëlqim të njërës ose palës tjetër. Prandaj mendoj se është një ide e mirë që të thuhet se e mbështesim këtë dhe e përqafojmë sepse kjo do të ishte, ky propozim do të ishte një bazë, e kuptoni, një bazë për hapin e ardhshëm që duhet të ndërmerret.
Ajo që po flasim është dëshira, atë që duam të shohim. A shihni lidership të mjaftueshëm nga ta për t’i thënë dokumentit po? A e kanë ata këtë lidership?
Ambasadori Petritsch: Kjo është një pikëpyetje e madhe natyrisht. Unë shpresoj se liderët politikë, të dy vendeve respektive, do ta kuptojnë se kjo është, nëse pajtohen, një lëvizje historike përpara. Por duhet parë zhvillimet më gjërërisht: Ballkani Perëndimor, pas invazionit në shkallë të gjërë të Ukrainës nga Rusia, ka rihyrë në lojën gjeopolitike që po zhvillohet ndërmjet Rusisë dhe Kinës në njërën anë dhe SHBA-së dhe Evropës nga ana tjetër. Prandaj të dyja edhe Prishtina edhe Beogradi duhet të lëvizin dhe të thonë se ne jemi në kampin perëndimor, ne duam të bëhemi anëtarë të BE-së dhe prandaj ne duhet të ndërmarrim dhe përmbushim parakushtet e domosdoshme. Dhe parakushtet dhe parakushti shumë i rëndësishëm është normalizimi ndërmjet dy shteteve dhe kjo është përfshirë në thelbin e tij, në hapin më të rëndësishëm, në këtë propozim.
Ju po flisni për normalizim dhe jo për njohje reciproke, diçka që Kosova po e kërkonte prej vitesh, prej vitit 2011 kur nisën negociatat, pra për një kohë të gjatë. Pra a po kthehemi tek dokumenti i vitit 2013, kur nuk kishte njohje reciproke ndërmjet palëve?
Ambasadori Petritsch: Nuk mendoj se po kthehemi në vitin 2013, por mendoj se në mënyrë implicite është aty dhe natyrisht se të dyja palët e dijnë se në fund, rezultati përfundimtar dhe prandaj ky propozim është një hap i rëndësishëm i ndërmjetëm se në fund duhet të ketë njohje reciproke. Por mendojini shembujt e tjerë historik: shembulli gjermano-gjerman, gjithashtu ne në Austri kemi me Italinë që prej vitit 1918, kur pjesë e Tirolit u aneksua nga Italia dhe na u deshën 70 vjet, ose rreth 70 vjet, që të vijmë tek një marrëveshje e plotfuqishme. Unë shpresoj dhe besoj se kjo nuk do të marr vite të tjera në rastin e Kosovës. Mendoj se duhet të ecim përpara por tani duhet kurajo e të dyja palëve që të thonë po ne duam ta bëjmë këtë sepse duam të shohim normalizim dhe mbi të gjitha ne duam që të ecim drejt zhvillimit ekonomik. Ne duhet të ecim për t’u përafruar me BE-në dhe të negociojmë më BE-në. Këta janë hapa të rëndësishëm që mund dhe duhet të ndërmerren kur parakushtet që janë vënë në propozimin gjermano-francez janë mbështetur dhe përqafuar.
Ambasador Petritsch, keni ngritur një çështje interesante: modelin gjermano-gjerman. Pra tani jemi në këtë fazë me këtë propozim të modelit gjermano-gjerman. Nuk pajtohemi por po ecim përpara. A nuk është kështu?
Ambasadori Petritsch: Edhe në rastin e Gjermanisë mori shumë kohë, ka një dallim në kohë, kur anëtarësimi në OKB i Gjermanisë Lindore u pranua atëbotë, por nuk kishte një njohje zyrtare. Por ata kishin tashmë zyrtarë; Psh Boni, pra Gjermania Perëndimore kishte një zyre në Gjermaninë Lindore dhe Gjermania Lindore kishte një zyre në Gjermaninë Perëndimore. Pra kjo e tërheqë një paralele në këtë propozim. Mendoj se këta hapa janë shumë të rëndësishëm. Sepse kur e keni një zyre në shtetin fqi kjo do të thotë de facto se ju jeni në një marrëdhënie të zyrtarizuar. Dhe ky është një para hap, ta quaj, drejt njohjes zyrtare që do të mund të ndodh në të ardhmen, natyrisht. Por pavarësisht, ne duhet të ndërmarrim hapat e parë fillimisht.
Por secili po flet për njohje de facto dhe askush për de jure. Kur do ta shohim këtë proces të njohjes të përmbushur? Kur ju e parashihni?
Ambasadori Petritsch: Shikoni, si një historian di diçka për të kaluarën por nuk di asgjë për të ardhmen. Por unë vetëm mund të besoj se të dyja palët përfundimisht do të thonë se tani duhet të vijmë tek marëdhëniet normale. Dhe normalizimi siç e thotë edhe definicioni nënkupton në fund edhe njohjen e ndërsjellë diplomatike. Por siç e thash de facto tani është me rëndësi dhe de jure do të vijë.
Më lejoni t’ju pyes a është hequr kushtëzimi i rrugës së Serbisë, ndërlidhur me kapitullin 35, me këtë marrëveshje të re të arritur në Bruksel? Pra a po bëhet rruga evropiane më e lehtë për Serbinë?
Ambasadori Petritsch: Jo nuk e besoj. Mendoj se kapitulli 35 ka një qëllim të qartë dhe ky është njohja e ndërsjellë. Por siç e thash është një hap me rëndësi në ndërkohë. Unë shpresoj se deri më 18 Mars do të mund të kuptojmë më shumë. Por kushtet zyrtare të parapara në kapitullin 35 janë ende aty dhe të vlefshme. Ajo që është pjesë e këtij propozimi, është se përkushtimi i Brukselit është që të përshpejtojë negociatat me Beogradit por njëkohësisht deri sa negociatat me Beogradin do të ecin përpara më shpejt pas pranimit të propozimit gjithashtu aplikimi i Prishtinës për anëtarësim në BE do të trajtohet në mënyrë të favorshme.
Por Ambassador, ka një çështje që duket sikur do ta pengojë më tutje zbatimin e marrëveshjes. Kjo ka të bëjë me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Të dyja palët e kushtëzojnë këtë. Por në fakt a po ecim drejt një autonomie të zgjeruar për serbët e Kosovës?
Ambasadori Petritsch: Së pari, ka 10 vjet që kur kjo është nënshkruar. Sikundër e dijmë në marrëdhëniet ndërkombëtare “pacta sunt servanda” (marrëveshjet duhet të zbatohen), secila qeveri duhet t’i përmbahet asaj që një qeveri e mëparshme ka nënshkruar. Pastaj duhet të flitet për atë se si në terme konkrete ky asociacion duhet të duket. Kjo është ajo që duhet të bëhet. Ka një grup punues aty, ka shumë ide atje, ka propozime ndërkombëtare dhe mendoj se është përgjegjësi e të dyja palëve që të lëvizin posaçërisht për Prishtinën sepse kjo po ndodh, ky Asociacion do të jetë pjesë e shtetit sovran të Kosovës. Prandaj ka një obligim shtesë për Prishtinën që ta përmbushë. Ajo është nënshkruar vite më parë, më shumë se dhjetë vjet më parë, tani na duhet ta zbatojmë dhe përfundimisht duhet të bëhen propozime se si do të duket kjo. Secili është, natyrisht, në favor të asaj që të kemi një Asociacion të komunitetit shumicë që nuk ka fuqi ekzekutive dhe as legjislative, që nuk është një lloj i Republikës Serbe. Ne nuk e duam këtë. Ne kemi përvojë shumë të keqe. Unë isha atje Përfaqësues i Lartë në Bosnjë e Hercegovinë dhe e se sa vështirë është që të merresh me Republikën Serbe. Prandaj, bashkësia ndërkombëtare, Bashkimi Evropian është absolutisht kundër këtij lloji të modelit. Por duhet të ketë, mendoj se duhet t’i qasen këtij Asociacioni në mënyrë praktike, se çka mund të bëhet në jetën e përditshme për qytetarët atje. Dhe nuk duhet të jetë i vendosur një sistem apartheidi ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve. Ky definitivisht nuk është një rast. Ideja ime është se duhet të ketë bashkpëunim të qartë ndërmjet qytetarëve të të dyja komuniteteve kur bëhet fjalë edhe për këtë Asociacion. Mendoj se nëse keni çfarëdo propozimi për shërbimet ose gjëra të tilla mendoj se bashkëpunimi i përditshëm duhet t’i përfshijë shqiptarët në rajonet me shumicë serbe, gjithashtu. Kjo është e qartë dhe ju nuk mund të thoni se nuk mund të bëjmë asgjë në këtë shtëpi sepse aty jeton një shqiptar. Kjo nuk është ideja për një Asociacion,
Por Ambassador po e citoj atë që Presidenti Vuçiq thotë. Janë tri Jo të tij; s’ka zbatim të marrëveshjes pa një Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, jo njohjes së Kosovës dhe jo anëtarësimit të Kosovës në OKB. Si i pajtojmë këto tri jo brenda një plani?
Ambasadori Petritsch: Mendoj se tani kjo është detyrë e Brukselit me mbështetjen e SHBA-së. Mendoj se këto çështje do të zgjidhen. Unë jam i bindur se këto çështje do të zgjdihen, ndoshta jo menjëherë po përfundimisht po. Z. Vuçiq, Presidenti Vuçiq është përkushtuar edhe verbalisht në Bruksel dhe ne do t’i mbahemi kësaj. Është, natyrisht, natyrë e negociatave në veçanti të negociatave të këtilla të vështira kur një paketë e madhe e historisë është aty, lufta qëndron në mes këtyre dy popujve që ende është e pranishme, dhe të gjitha këto çështje, prandaj na duhet të jemi shumë të kujdesshëm por ne duhet të insistojmë që ky propozim do të pranohet nga të dyja palët.
Ambasador a mund t’ju pyes drejtpërdrejt: a i besoni presidentit Vuçiq se ai do të miratojë gjithë paketën e propozimit, gjermano-francez.
Ambasadori Petritsch: Nuk e di. Është natyrisht një vendim i vështirë për cilindo politikan serb. Ju e dini se presidenti Vuçiq ka shumë kundërshtime në vendin e tij. I kemi përcjellë trazirat në Parlamentin serb dhe këto nuk janë shenja shumë të mira. Por mendoj dhe po kthehem se çfarë kam thënë më parë, kurajo politike është e rëndësishme sot. Na duhet tani ta shohim Presidentin Vuçiq që ka shumicën dërrmuese në vend, që të dal dhe thotë pavarësisht se sa vështirë është ne do ta bëjmë këtë.
Ambasador ka një kërkesë për formalizim të statusit të Kishës Orthodokse Serbe në Kosovë. Kjo duket të jetë një lloj kërkese e re në kuadër të planit, të këtij plani përpara Kurtit dhe Vuçiqit?
Ambasadori Petritsch: Ne duhet të shohim se ku janë lidhjet historike ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Dhe Kisha Orthodokse, Manastiret, luajnë një rol të rëndësishëm në jetët dhe mbamendjen e të gjithë serbëve. Prandaj Prishtina do të duhej të ishte e këshilluar mirë që të marr këtë çështje seriozisht. Ju them se kam folur dhe në kontakt si dhe e kam vizituar Deçanin dhe atin Sava, i cili është i hapur dhe i cili gjatë luftës ishte njëri nga pak serbë në Kosovë që ka folur dhe ka vazhduar të ketë kontakte me shqiptarët e Kosovës. Ai natyrisht thotë se duhet të ketë një status special për manastiret dhe kishat orthodokse në Kosovë. Por, kjo është me rëndësi që po them. Duet të rregulloni marrëdhëniet dhe duhet të shkruhen në letër se çdo konflikt mund të zgjidhet brenda marrëveshjes dhe asaj që është pajtuar. Mendoj se do të ishte një shenjë e mirë nëse Prishtina sheh se çka mund të bëhet në Deçan, sepse ka një vendim të marr nga Gjykata dhe mendoj se do të ishte një gjest i rëndësishëm dhe një gjest pozitiv nëse me Deçanin një marrëveshje mund të arrihet. Kjo do të përgatiste, sipas mendimit tij, të gjitha manastiret e tjera në Kosovë ta përcjellin dhe ta mbështesin, Por me rendësi natyrisht është që në fund ajo që duhet të arrihet është që komuniteti serb në Kosovë do ta pranonte dhe respektonte shtetin e Kosovës. Kjo është e rëndësishme, Nuk duam të shohim situatën sikur në Mal të Zi ku marrëdhënia ndërmjet Kishës Orthodokse dhe qeverisë është përshkallëzuar. Du atë shoh një marrëdhënie të mirë. Kjo është mendoj unë shumë e rëndësishme. Sepse pas të gjithave është trashëgimi e Evropës, Dhe Kosova është vend kulture, i monumenteve kulturore edhe i kishës orthodokse edhe i komunitetit musliman, edhe i Kishës Katolike gjithashtu. Mendoj se Kosova mund të bëhet një shembull i bashkëjetesës dhe i respektimit ndaj njëri-tjetrit. Kjo është ajo që dëshiroj si mik i Kosovës.
Nëse e kuptoj drejt: Plani i Martti Ahtisaarit parasheh gjithë këtë që ju e thatë tani. Plani është i pjesë e Kushtetutës së Kosovës. Pra a nuk mjafton ky Plan i Ahtissarit apo na duhet një plan Ahtisaari Plus?
Ambasadori Petritsch: JO nuk mendoj se duhet një plan Ahtisaari Plus, por duhet të gjeni në mënyrë sovrane se si një qeveri, si qytetarët e komunitetit etnik shqiptar në Kosovë mund të përmirësojnë marrëdhëniet me komunitetin serb. Kjo është me rëndësi. Sepse vetëm kur të jetë zgjidhur ky konflikt historik Kosova do të ketë mundësi të bëjë përparim në aspektin ekonomik, dhe të ecë më shpejt drejt BE-së, drejt Brukselit etj. Mendoj se është me rëndësi të madhe për Kosovën që ta trajtojë, ta zgjidhë këtë çështje shumë të vështirë dhe të bëjë çkado që mundet me qëllim që të sjellë brenda komunitetin serb brenda shtetit të Kosovës.
Ambassador më lejoni, përtej kësaj që kemi përpara, cilat janë pritshmëritë tuaja: a mund ta përmbyllim një proces ndërmjet Kosovës dhe Serbisë brenda afatit kohor, siç e parasheh plani, prej 1 viti?
Ambasadori Petritsch: Është shumë ambicioze. Por duhet të keni kujdes së zgjedhjet po vijnë. Zgjedhjet në SHBA, zgjedhjet në BE, kemi luftën në Ukrainë dhe agresionin e Rusisë. Ne duam, bashkësia ndërkombëtare dhe BE-ja realisht duan që ta shfrytëzojnë këtë mundësi që të zgjidhë çështjen, Ta sjell në një rrugë të mirë dhe të sigurt drejt normalizimit dhe për mirëqenien e qytetarëve.