Ish-ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim emërohet në krye të kompanisë amerikane, ExxonMobil

Pas një karriere të gjatë në shërbimin diplomatik amerikan të cilës i dha fund disa ditë më parë duke u larguar nga pozicioni që mbante në Departamentin e Shtetit, ish-ambasadorja e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim, ka nisur një kapitull të ri profesional, por këtë herë në sektorin privat, atë të energjisë.

Ajo është emëruar në një rol të lartë drejtues në ExxonMobil, kompania më e madhe amerikane në fushën e naftës dhe gazit, dhe një nga korporatat më të fuqishme në rang global.

Me seli në Teksas, ExxonMobil, është kompania e shtatë më e madhe për nga të ardhurat në SHBA, dhe e 13-ta më e madhe në botë.

Ish-ambasadorja Yuri Kim, e ka njoftuar emërimin në pozicionin e ri drejtues në llogarinë e saj në rrjetin social X.

 

 

ExxonMobil, ka një shtrirje të gjerë në disa shtete ku ushtron aktivitetin në fushën e gazit natyror.

Yuri Kim, shërbeu si Ambasadore e SHBA në Shqipëri nga viti 2020 deri në vitin 2023, duke qenë një nga zërat më të fortë në mbështetje të reformës në drejtësi, forcimit të institucioneve demokratike dhe afrim të marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve.

Largimi i saj nga diplomacia dhe zgjedhja për t’u angazhuar në një kompani të kësaj përmase, sinjalizon një rrugëtim të ri profesional, por pa u larguar nga fushat me ndikim global.

Interesant është fakti se ExxonMobil ka prezencë edhe në Shqipëri, më konkretisht në Vlorë, teksa menaxhon TEC-in e Vlorës.

Prania e ExxonMobil në Shqipëri

ExxonMobil, është i përfshirë në rinovimin e Termocentralit (TEC) të Vlorës në Shqipëri dhe në zhvillimin e një terminali të ri importi të gazit natyror të lëngshëm (LNG) në Vlorë.

Në mars të vitit 2021, u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi midis qeverisë shqiptare, ExxonMobil dhe Excelerate Energy, e cila përfshin konvertimin e TEC-it ekzistues për të funksionuar me LNG, ndërtimin e një terminali të ri LNG dhe transformimin e Vlorës në një qendër rajonale të shpërndarjes së gazit.

Termocentrali ekzistues i Vlorës nuk kishte prodhuar kurrë energji, për shkak të problemeve operacionale dhe projekti synon të ofrojë një zgjidhje të besueshme energjetike për Shqipërinë dhe rajonin e gjerë të Ballkanit, duke diversifikuar burimet e energjisë dhe duke rritur sigurinë energjetike.

Çfarë dihet për Exxon Mobil Corporation

ExxonMobil Corporation, është një korporatë amerikane shumëkombëshe e naftës dhe gazit, me seli në Spring, Teksas, një periferi e qytetit Houston.

Ajo u themelua si pasardhësja më e madhe direkte e kompanisë Standard Oil të John D. Rockefeller.

Kompania moderne u formua në vitin 1999, pas bashkimit të Exxon dhe Mobil, dy pasardhëse të drejtpërdrejta të Standard Oil, konglomeratit legjendar të themeluar nga John D. Rockefeller në fund të shekullit XIX.

Sot, ExxonMobil operon globalisht në të gjitha segmentet e industrisë së energjisë, përfshirë:

Kërkimin dhe prodhimin e naftës dhe gazit natyror.

Rafinimin dhe shpërndarjen e karburanteve dhe produkteve petrokimike.

Zhvillimin e teknologjive të qëndrueshme, përfshirë investime në energjinë e pastër dhe kapjen e karbonit.

ExxonMobil, është një nga kompanitë më të mëdha në botë për nga të ardhurat, dhe për një periudhë të gjatë ka qenë edhe ndër kompanitë publike më të vlefshme në bursë.

Ajo është e pranishme në dhjetëra vende dhe luan një rol të rëndësishëm në tregjet globale të energjisë.

Pavarësisht ndikimit të saj ekonomik dhe teknologjik, kompania ka qenë shpesh në qendër të kritikave për efektin e saj në mjedis dhe për rolin në debatin mbi ndryshimet klimatike.


Shtuar 30.09.2025 15:37