Ironia e Gazment Bardhit: Safet Bajri ka kërkuar të dëgjohet në Grupin e PS, Rektori i Universitetit Bujqësor kërkoi strehim te ju, mos mbroni të korruptuarit

Këtë të enjte, kryetari i grupit parlamentar i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka ironizuar mbledhjen e grupi të PS, ku ishte i pranishëm edhe Rektori i Universitetit Bujqësor, në lidhje me 24 urdhër arrestet e lëshuara nga SPAK për stafin e këtij Universiteti.

Bardhi ironizoi socialistët duke i thënë se;edhe Safet Bajri ka bërë një kërkesë që të dëgjohet në grupin parlamentar të PS”.

Sipas tij, ajo që ndodhi me rektorin e Universitetit Bujqësor, është e paprecedentë dhe në shkelje të hapur të ligjit dhe kushtetutës.

“Një rektor kërkoi strehim në grupin parlamentar për të justifikuar një aferë të rëndë që ka ndodhur në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Ky akt i paprecedent ndodh në një kohë kur rektori ende sot që flasim nuk ka kërkuar të sqarojë atë organ akademik që ka për detyre të sqarojë, që është senati akademik, por kërkon të rrëfehet në grupin parlamentar të PS në shkelje të kushtetutës dhe ligjit. Kjo na krijon bindjen e plotë se ajo që po ndodh në Universitetin Bujqësor është një injorim i ligjit.

Ju si grup parlamentar nuk mund të bëheni strehë për çdo të korruptuar që akuzohet nga SPAK për të zhvilluar seanca dëgjimore me të akuzuar për korrupsion. Do ju vijë dita që do kërkojnë të rrëfehen edhe të akuzuarit për pjesëmarrje në krim të organizuar.

Më thonë që ka ardhur në grupin tuaj një kërkesë nga Safet Bajri për të dëgjuar, edhe ai pretendon se është i intimiduar nga SPAK.

Nëse thirrni për të dëgjuar një të korruptuar thirrni edhe një që është i përfshirë në krim të organizuar”, u shpreh Bardhi.


Shtuar 27.02.2025 12:27