Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Paulesh, ku një inxhinier ka humbur jetën tragjikisht gjatë kontrollit të punimeve në një urë.
Siç raportuam pak më herët, viktima është identifikuar si Guri Dashi, i cili ra nga lartësia teksa po inspektonte punimet në urën e ndërtimit në aksin Lekaj-Elbasan.
Pas ngjarjes së rëndë, policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin Enver Hoxha, 64 vjeç, me detyrë drejtues teknik, i cili akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Guri Dashi baba i dy fëmijëve të mitur, jetonte në Pogradec, ku kishte ndërtuar jetën e tij familjare.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin arrestuan në flagrancë shtetasin E. H., 64 vjeç, me detyrë drejtues teknik, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pasi pasditen e djeshme, gjatë punës në kantierin e ndërtimit, në fshatin Paulesh, ka rënë nga lartësia dhe për pasojë ka humbur jetën inxhinieri, shtetasi G. D., 42 vjeç”, njoftoi sot policia.
