Kryeministri Edi Rama, zhvilloi një takim me studentë dhe pedagogë, ku theksoi se qeveria shqiptare ka qëndruar gjithmonë pranë studentëve ekselentë.
Ai theksoi se studentëve u është dhënë mundësia të zhvillojnë praktika pune për të përfituar eksperiencë, hap ky që nuk i penalizon ata të konkurrojnë për t’u punësuar më pas në vendet vakante në administratë.
“Sot në Shqipëri problemi kryesor nuk është më të gjesh më një punë, por janë dy sfida të tjera. Njëra është për personat e kualifikuar që të gjejnë një punë të mirëpaguar. Nga ana tjetër për sipërmarrjen që të gjejë persona të kualifikuara. Ne për studentët ekselentë kemi një projekt të veçantë për praktikat e punës. Studentëve ekselentë ju jepet mundësia të bëjnë një praktikë dhe pastaj të konkurrojnë në administratë. Kemi një numër mbresëlënës të atyre që futen në administratë”, tha Rama.
Kryeministri u ndal edhe tek investimet e bëra në fushën e mjekësisë, ndërsa zbuloi planet e investimeve për “Shqipërinë 2030”.
Sipas tij, Shqipëria zotëron të gjitha kapacitetet për t’u bërë një vend lider në rajon, për shërbimet e specializuara në mjekësi.
“Një nga objektivat tona, të mbështetur në punë të bëra, jo ëndrra, është që në këtë 5 vjeçar t’i japim vendit një mundësi të re, sa i përket shërbimit shëndetësor duke zgjeruar kapacitete tona për të bërë shërbime shëndetësore ekstra. Ta bëjmë QSUT një qendër ekselencën të shëndetësisë në rajon është e mundur dhe plani është shumë i qartë dhe partnerët janë të jashtëzakonshëm.
Duam që të bëjmë një binjakëzim të Universitetit të Mjekësisë me një prej universiteteve më të mira të Evropës, që do të thotë se Universiteti ynë i Mjekësisë të jetë me të njëjtat standarde dhe të ketë të njëjta mësime dhe të njëjtën vlerë të diplomës.
Duam të fillojmë ndërtimin e një spitali tjetër, të një niveli më të lartë, jemi duke punuar për këtë. Flas për spital publik, me një skemë partneritetit me një vend mik për të krijuar kushte që në dekadën e ardhshme askush të mos ketë asgjë që këtu nuk e merr dot që të shkojë në Turqi dhe Itali. Shqipëria të bëhet pikë referimi edhe për vendet e rajonit dhe së shpejti do t’i finalizojmë”, theksoi Rama.