Këtë të enjte, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, komentoi investimet amerikane në Jug të vendit nga kompania e dhëndrit të Donald Trump, Jared Kushner.
Jashtë Parlamentit, Berisha u shpreh se Rama bëri influencë politike, por sipas tij dështoi.
Gjithashtu, Berisha tha se edhe ai e ka ofruar ishullin e Sazanit tek Berlusconi, u pranua, por filloi kriza dhe nuk u realizua.
Sipas Berishës, Rama nuk e firmosi marrëveshjen para se Donald Trump të zgjidhej presidenti i SHBA-ve.
“Për sa i përket Zvërnecit është një çështje private. Unë nuk di të jetë dhënë tokë publike aty, por do ta shohim. Për sa i përket Sazanit, e kam deklaruar, deklarata ime është kjo: ne mbështesim investimet amerikane, por natyrisht ky e bëri atë për influencë politike.
I sigurt që dështoi, sepse po të mos dështonte, nuk merrte përsipër të përpiqej të bënte gazi i dheut presidentin e SHBA në një samit që u bë kryelajm i atij samiti. Ndaj dhe këtu duhet t’i ndajmë gjërat. Zvërneci është investim publik. Sazanin ai e dha, por po të më çosh pak më tutje, mund të them disa gjëra të tjera, të palidhura me këtë.
Sazanin edhe qeveria ime e ka ofruar. Unë nuk mund të mos jem ai që jam. E kemi ofruar, sepse në kohën kur ne kemi bërë vlerësimin, ai ka qenë një ishull aspak i lakmuar. E ofroi Fatos Nano para meje. E ofrova unë, ra kriza. Ia ofrova mikut të shquar të kombit shqiptar, Silvio Berluskoni.
E pranoi dhe bëri projektin. Bëri një projekt shumë të mirë, por erdhi kriza financiare. Aty janë dokumentet. Pse e ofruam? Sepse nuk është i lehtë për t’u zhvilluar. Tani fondet janë shumë të mëdha sepse sipas asaj që kam dëgjuar janë dy miliardë euro të fondit sovran arab. Në qoftë se bëhet, unë nuk kam asnjë kundërshtim.
Sazanin e ka ofruar Fatos Nano. E ka ofruar Sali Berisha dhe janë bërë projektet nga i ndjeri Silvio Berluskoni. Sazanin e ofroi ky. Dhe ky gjeti Xhared Kushner, i cili erdhi me një fond shumë të madh. Por çfarë bëri ky? Në qoftë se marrëveshja ishte që ta firmoste para zgjedhjes së presidentit Trump, ky mashtroi. Ky nuk e firmosi para zgjedhjes së presidentit dhe ky u përpoq gjer në fund ta përdorë atë për të paktën edhe një fotografi me Lindën”, tha Berisha.
