Pak para pandemisë, kur punimet e gazsjellësit TAP në Shqipëri ishin drejt përfundimit, në diskutimet ekonomike mbizotëronte mendimi se flukset e larta të Investimeve të Huaja Direkte që u shënuan sidomos pas vitit 2014, me shumë të ngjarë do të uleshin.
Pesimizmi nuk lidhej vetëm me përfundimin e TAP, por edhe të një sërë veprash të tjera të rëndësishme në energjetikë, sidomos ato në kaskadën e lumit të Devollit.
Është e kuptueshme që projekte kaq të mëdha investimi, për një ekonomi të vogël si Shqipëria, nuk mund të priten të vijojnë për periudha shumë të gjata. Por, në fakt, statistikat tregojnë se Investimet e Huaja Direkte po e përgënjeshtrojnë këtë pesimizëm.
Sipas Bankës së Shqipërisë, Investimet e Huaja Direkte në gjysmën e parë të këtij viti arritën një shifër rekord prej 634 milionë eurosh, niveli më i lartë historik i regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë të vitit. Vlera e Investimeve të Huaja Direkte deri tani këtë vit paraqitet në rritje me 35%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Veçmas, edhe tremujori i dytë i vitit ka shënuar fluks rekord të Investimeve të Huaja Direkte, me 337 milionë euro. Kjo shifër është 43% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe njëkohësisht vlera më e lartë e investimeve të huaja e regjistruar ndonjëherë në një tremujor të vetëm.
Investimet e Huaja Direkte janë një kontribuues i rëndësishëm në shtimin e kapaciteteve prodhuese dhe në rritjen ekonomike, por njëkohësisht edhe në ekuilibrimin e pozicionit të jashtëm të ekonomisë.
Në dy tremujorët e parë të këtij viti, Investimet e Huaja Direkte kanë tejkaluar vlerën e deficitit të llogarisë korrente. Ky faktor mund të ketë pasur ndikim të rëndësishëm në mbiçmimin e monedhës vendase në kursin e këmbimit me Euron.
Këtë vit, kursi mes Euros dhe Lekut ka prekur nivelet më të ulëta historike, me një vlerë rekord prej 116.61 lekësh, të shënuar në fund të muajit korrik.
Fitimet e riinvestuara, rol në rritje
Rritja e Investimeve të Huaja Direkte është mbështetur njëkohësisht nga shtimi i flukseve të reja dhe rritja e fitimeve të riinvestuara të investitorëve ekzistues. Megjithatë, fitimet e riinvestuara në vitet e fundit kanë peshë dominuese në strukturën e Investimeve të Huaja Direkte.
Për gjysmën e parë të këtij viti, vlera e fitimeve të riinvestuara nga ndërmarrjet e huaja arriti në 337 milionë euro, pothuajse 42% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Fitimet e riinvestuara përbënin 53% të vlerës totale të Investimeve të Huaja Direkte për 6-mujorin 2022.
Vlera e gjysmës së parë të vitit është më e larta që kanë regjistruar ndonjëherë fitimet e riinvestuara, si komponent i Investimeve të Huaja Direkte.
Statistikat tregojnë se ato kanë pasur vlera të konsiderueshme në periudhën 2008-2010, por kanë rënë ndjeshëm në periudhën 2011-2016, që përkon me një shtrirje të ndjeshme të efekteve të krizës financiare që nisi në vitin 2008. Pas vitit 2017, fitimet e riinvestuara i janë kthyer sërish rritjes, e cila ka kulmuar këtë vit.
Fitimet e riinvestuara kanë peshë veçanërisht të lartë në sektorë që kanë nevojë për investime të konsiderueshme në vijimësi dhe shembulli më tipik është industria nxjerrëse.
Në sektorin e hidrokarbureve, rritja e çmimeve të naftës, duke filluar nga pjesa e dytë e vitit të kaluar i ka bërë më tërheqëse investimet e reja, me qëllim rritjen e prodhimit. Për 6-mujorin, investimet në sektorin e industrisë nxjerrëse arritën në 114 milionë euro, në rritje me 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Flukset në këtë sektor konsistojnë kryesisht në fitime të riinvestuara të kompanive ekzistuese në aktivitetin e nxjerrjes së naftës bruto. Rritja e çmimeve të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare këtë vit duket se ka nxitur edhe shtimin e investimeve të huaja në nxjerrjen e naftës në Shqipëri.
Në mesin e këtij viti, stoku i investimeve të huaja në industrinë nxjerrëse arriti në 1.54 miliardë euro, në rritje vjetore me 23%. Investimet e deritanishme në këtë sektor përbënin pothuajse 15% të stokut të Investimeve të Huaja Direkte në Shqipëri.
Përveç industrisë nxjerrëse, edhe sektori financiar dhe veçanërisht ai bankar ngelen gjithashtu një kontribuues në vijimësi nëpërmjet fitimeve të riinvestuara, edhe për shkak të rritjes graduale të kërkesave për kapital ndaj bankave tregtare.
Stoku i investimeve të huaja në pasuri të paluajtshme ka arritur vlerën e 1.31 miliardë eurove dhe sektori financiar renditet i treti për nga vlera e investimeve të huaja të thithura, me 12.7% të totalit.
Stoku i investimeve të huaja në sektorin financiar ka vazhduar të rritet, pavarësisht tërheqjes së disa prej investitorëve të huaj dhe sidomos grekë nga tregu. Me përjashtim të një rënieje të përkohshme në fillim të vitit 2019 (pas blerjes së Tirana Bank nga grupi Balfin), në vijim stoku i investimeve të huaja në sektorin financiar është rritur në mënyrë të vazhdueshme.
Karakteristika të ngjashme ka edhe sektori i informacionit dhe komunikimit, ku nevoja për investime të reja është e vazhdueshme, për shkak të zhvillimeve teknologjike. Ky sektor, në mesin e këtij viti, regjistronte një stok investimesh të huaja prej më shumë se 1.1 miliardë eurosh, ose sa 10.8% e totalit.
Investimet e huaja në pasuri të paluajtshme, nivele rekord
Në dy vitet e fundit, pasuritë e paluajtshme janë dukshëm sektori dominues i investimeve të reja të huaja në Shqipëri.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për tremujorin e dytë të këtij viti, investimet e të huajve në pasuri të paluajtshme në Shqipëri arritën vlerën rekord të 83 milionë eurove, më e larta e regjistruar ndonjëherë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, investimet e huaja në prona janë rritur me 66%.
Në të njëjtën linjë janë edhe shifrat progresive të 6-mujorit 2022. Investimet e Huaja Direkte në pasuri të paluajtshme arritën vlerën e 142 milionë eurove, në rritje me 77.5% krahasuar me 6-mujorin 2021. Edhe 6-mujori përfaqëson vlerën më të lartë historike të Investimeve të Huaja Direkte në këtë sektor.
Blerjet e shtetasve të huaj po bëhen faktor me peshë në tregun e pronave në Shqipëri.
Vitin e kaluar, transaksionet e blerësve të huaj përbënin rreth 21% të volumit zyrtar të tregut të pasurive të paluajtshme në Shqipëri, të matur nga INSTAT. Për shkak të pozicionit të Shqipërisë, klimës, sistemit të favorshëm të taksimit në krahasim me vendet ku jetojnë, gjithnjë e më shumë shtetas të huaj po vendosin të investojnë në një pronë në Shqipëri, sidomos në zonat bregdetare.
Gjithnjë duke iu referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, stoku total i investimeve të huaja në pasuri të paluajtshme, në mesin e këtij viti, arriti në 932 milionë euro, në rritje me 42.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Investimet në prona përbëjnë tashmë 9% të stokut të përgjithshëm të Investimeve të Huaja Direkte në vend.
Energjetika, nga HEC-et drejt impianteve diellore
Rritje edhe më të lartë shënuan investimet në sektorin energjetik, që për 6-mujorin arritën në 103 milionë euro, në rritje me 145% krahasuar me 6-mujorin e parë të vitit të kaluar.
Energjetika udhëhoqi rritjen e Investimeve të Huaja Direkte në Shqipëri për vite me radhë, kryesisht falë investimit madhor në gazsjellësin TAP, por edhe projekteve të tjera të rëndësishme të investimeve të huaja, sidomos në energjinë hidrike.
Pas përfundimit të këtyre projekteve, ritmi i investimeve shënoi rënie, por ky vit po shfaq sinjale të një rritjeje të re.
Po t’iu referohemi të dhënave progresive, energjetika ngelet dukshëm sektori dominues i Investimeve të Huaja Direkte. Stoku i investimeve në këtë sektor arriti në 2.83 miliardë euro, në rritje vjetore me 7.5%. Rreth 27.3% e stokut të Investimeve të Huaja Direkte vjen pikërisht nga sektori energjetik.
Pasiguria energjetike që nxiti sulmi i Rusisë mbi Ukrainën dhe kriza e çmimeve po rritin interesin për energjitë e rinovueshme.
Në dekadën e fundit, koncesionet në energjetikë kanë mundësuar ndërtimin e një numri të madh HEC-esh të vegjël, por edhe disa të përmasave të mesme apo të mëdha, siç janë HEC-i i Ashtës në rrjedhën e lumit Drin, ata të Banjës dhe Moglicës në Devoll, apo ata të Fangut dhe Peshqeshit mbi lumin Fan.
Me gjithë rritjen e kapacitetit të instaluar në vitet e fundit, sërish prodhimi i energjisë hidrike ngelet i varur nga kushtet atmosferike dhe prurjet e lumenjve. Kjo ka shtruar nevojën për diversifikimin e prodhimit të energjisë edhe nga burime të tjera të rinovueshme, me fokus kryesor tek energjia diellore.
Qeveria ka zhvilluar dy ankande për impiante të mëdha fotovoltaike, por deri tani vetëm ai i Karavastasë ka nisur të ndërtohet, për një investim të pritshëm prej rreth 125 milionë eurosh. Një impiant të vogël lundrues në liqenin e Banjës po ndërton edhe kompania Devoll Hydropower.
Gjallërohen investimet në industrinë përpunuese
Një tjetër sektor ku këtë vit po shënohet rritje e ndjeshme e Investimeve të Huaja Direkte është industria përpunuese. Për 6-mujorin, investimet e huaja në këtë sektor arritën në 84 milionë euro, në rritje me 95% krahasuar me një vit më parë.
Deri tani, investimet e huaja në industrinë përpunuese kanë qenë kryesisht të përqendruara në sektorët e fasonerisë dhe pjesërisht në industrinë e përpunimit të mineraleve dhe prodhimit të metaleve apo çimentos.
Fasoneria ka qenë historikisht një shtyllë e rëndësishme e eksporteve shqiptare, duke shfrytëzuar krahun e lirë të punës. Edhe për këtë sektor ekzistonte një lloj pesimizmi lidhur me aftësinë për të qenë konkurrues në afatin e gjatë.
Besohej se me përafrimin e Shqipërisë me BE-në dhe rritjen e standardeve të jetesës, avantazhi i kostos së lirë të punës mund të humbiste gradualisht dhe investitorët e huaj mund të zhvendoseshin gradualisht në tregje më të largëta të Afrikës dhe Azisë, ku kosto e punës është edhe më e lirë.
Në përgjithësi, një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe sektori i fasonerisë ka vijuar rritjen në dekadën e fundit. Përveç aktiviteteve tipike të tekstileve dhe këpucëve, interes në rritje në vitet e fundit ka pasur industria automotive, ashtu si në vendet e tjera të Rajonit. Stoku i investimeve të huaja në industrinë përpunuese, në mesin e këtij viti, arriti në 930 milionë euro, në rritje vjetore me 21%.
Një tjetër sektor me peshë të rëndësishme në strukturën e investimeve të huaja është ai i aktiviteteve profesionale, shkencore dhe teknike.
Megjithëse flukset e reja në gjysmën e parë të këtij viti kanë qenë ndjeshëm më të ulëta krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, stoku i investimeve në këto aktivitete ngelet mjaft i rëndësishëm, me 619 milionë euro në mesin e këtij viti, në rritje vjetore me afërsisht 12%.
Ky grup, përgjithësisht, ka qenë i lidhur me ofrimin e shërbimeve mbështetëse të llojit call center për kompani të huaja, gjithnjë me qëllimin për të shfrytëzuar koston më të ulët të forcës së punës, por edhe njohjen e gjuhëve të huaja, veçanërisht nga të rinjtë.
Në vitet e fundit, spektri i aktivitetit të këtyre është zgjeruar. Përveç shërbimeve të ndërmjetësimit për investime në bursë, që shpeshherë ofrohen edhe në mënyrë të jashtëligjshme, në vitet e fundit zhvillim po shënojnë edhe shërbimet e teknologjisë së informacionit, të lidhur me programimin apo ofrimin e mbështetjes teknike.
Ulen investimet turke, rriten ato italiane dhe hungareze
Italia ka rezultuar zyrtarisht investitori kryesor i huaj në Shqipëri për gjysmën e parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për 6-mujorin, investimet italiane kishin vlerën e 75 milionë eurove, në rritje me 12.5% krahasuar me 6-mujorin e parë të vitit të kaluar.
Rritja e investimeve italiane u përqendrua kryesisht në tremujorin e dytë të vitit, ku flukset arritën vlerën e 45 milionë eurove, në rritje me 19% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Holanda ngelet ndër investitorët kryesorë në Shqipëri edhe këtë vit, megjithëse në rënie krahasuar me vitin e kaluar. Sipas Bankës së Shqipërisë, investimet holandeze për 6-mujorin kishin vlerën e 70 milionë eurove, 34% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Për të dytin vit radhazi, statistikat tregojnë rritje të ndjeshme të investimeve gjermane. Sipas Bankës së Shqipërisë, për 6-mujorin investimet gjermane kishin vlerën e 59 milionë eurove, në rritje me 210% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Renditja e investitorëve të huaj për 6-mujorin vijon me Austrinë, me 33 milionë euro investime të reja, Kosovën, me 29 milionë euro dhe SHBA, me 27 milionë euro.
Për t’u shënuar këtë vit është rënia e ndjeshme e investimeve turke. Për 6-mujorin, fluksi i investimeve turke rezultoi negativ, në vlerën e 59 milionë eurove. Rënia ka ardhur e gjitha në tremujorin e dytë, kur u shënua një fluks negativ prej 91 milionë eurosh dhe besohet se është e lidhur me shitjen e kompanisë Albtelecom nga konsorciumi turk CETEL te grupi hungarez 4iG.
Në fakt, blerja e Albtelecom nuk është reflektuar në fluksin e investimeve hungareze, me sa duket, për arsye konfidencialiteti, duke u përfshirë në kategorinë “Të tjera për arsye konfidencialiteti”.
Megjithatë, nëse analizojmë të dhënat e investimeve të huaja sipas shteteve, të paraqitura në formën e stokut, në fund të tremujorit të dytë, investimet hungareze kanë arritur vlerën e 203 milionë eurove, rreth 83 milionë euro më shumë krahasuar me tremujorin e parë.
Në pjesën dërrmuese, besohet se kjo ka ardhur pikërisht nga blerja e Albtelecom. Megjithëse statistikat e flukseve nuk japin një konfirmim të saktë, me shumë të ngjarë, investitori më i madh i huaj për këtë vit duhet të jetë Hungaria.
Blerja tjetër e 4iG, ajo e operatorit ONE, nuk reflektohet në shpërndarjen e IHD-ve sipas shteteve, sepse marrja e kontrollit është bërë në mënyrë të tërthortë, duke blerë kompaninë holding Albania Telecom Invest, të regjistruar në Bullgari. Për këtë arsye, zyrtarisht ONE do të vazhdojë të rezultojë si investim bullgar.
Efekti TAP, Zvicra vazhdon të kryesojë stokun e IHD-ve
Po t’i referohemi stokut të Investimeve të Huaja Direkte në fund të 6-mujorit, Zvicra vazhdon të kryesojë, me 1.8 miliardë euro, ose 17.4% të totalit. Investimet zvicerane morën hov, sidomos pas vitit 2016, me intensifikimin e punimeve për gazsjellësin TAP.
Që nga fillimi i vitit 2016, stoku i investimeve zvicerane është rritur me më shumë se 11 herë. Në fakt, TAP ishte një investim shumëkombësh, ku u përfshinë kompani të sektorit energjetik nga shtete të ndryshme.
Por, metodologjia e Investimeve të Huaja Direkte i klasifikon këto investime sipas vendit ku është regjistruar aksioneri i ndërmarrjes shqiptare, pa marrë parasysh kontrollin e tërthortë mbi aksionet.
Në rastin konkret, TAP është një kompani e regjistruar në Zvicër. Investitorët e tjerë zviceranë në Shqipëri kanë qenë të paktë dhe kryesisht në formën e kompanive holding të regjistruara offshore.
Për shembull, disa prej kompanive që kanë kontrolluar ish-ndërmarrjen shtetërore të naftës, ARMO dhe më pas, asetin e saj kryesor, Rafinerinë e Ballshit, kanë qenë të regjistruara në Zvicër. Një nga investimet e pakta me kontroll realisht zviceran besohet se është koncesionari i pullave fiskale, Sicpa.
Për arsye të ngjashme, investitori i dytë më i madh në Shqipëri është Holanda. Në mesin e këtij viti, stoku i investimeve holandeze arriti në 1.65 miliardë euro, ose sa 16% e stokut total të Investimeve të Huaja Direkte.
Vlerat e mëdha të investimeve holandeze, në vitet e fundit, lidhen shumë me faktin se Holanda është një nga vendet e preferuara në Europë për të regjistruar kompani offshore, me qëllim kontrollin e investimeve ndërkombëtare të grupeve të ndryshme të biznesit.
Holanda ka një rrjet të gjerë të marrëveshjeve me vende të tjera të botës për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe kjo i ndihmon kompanitë për të shmangur ndërlikimet tatimore në momentin e shpërndarjes dhe transferimit të dividendëve të fituara nga investimet e kryera në vende të tjera.
Arsyeja tjetër pse Holanda është një vend i preferuar për regjistrimin e kompanive është sepse legjislacioni i atjeshëm garanton një shkallë të lartë konfidencialiteti lidhur me pronësinë e aksioneve mbi një kompani.
Në këtë pikë, Holanda ka karakteristika të ngjashme me vende të tjera që njihen si juridiksione offshore. Pikërisht kjo është arsyeja kryesore pse disa prej kompanive, me aksionerë shqiptarë që kanë fituar kontrata koncesionare në Shqipëri, rezultojnë të regjistruara në Holandë.
Investime të rëndësishme në Shqipëri, si Vodafone Albania, Devoll Hydropower, Solar Karavasta, American Hospital, etj., zotërohen nga kompani holding të regjistruara në Holandë. Një ndër investitorët e paktë, të mirëfilltë holandezë, është kompania e nxjerrjes së naftës Shell.
Investitori i tretë më i madh rezulton zyrtarisht Kanadaja, me një stok investimesh prej 1.34 miliardë eurosh, ose sa 13% e stokut total të Investimeve të Huaja Direkte. Edhe pozicionimi i Kanadasë i detyrohet kryesisht metodologjisë së klasifikimit të origjinës së kapitalit.
Investimet kanadeze i takojnë, në pjesën dërrmuese, kompanisë Bankers Petroleum, që prej vitit 2016 është blerë nga kompania kineze Geo-Jade Petroleum. Por, duke qenë se kalimi i pronësisë është bërë nëpërmjet kontrollit të kompanisë mëmë, të regjistruar në Kanada, Bankers vazhdon të rezultojë si investim kanadez.
Italia është investitori i fundit me një stok investimesh sipër nivelit të 1 miliard eurove, me rreth 1.1 miliardë euro në mesin e këtij viti. Ecuria e investimeve italiane ka qenë më e qëndrueshme në kohë, por sidomos pas vitit 2020 vërehet rritje e ndjeshme.
Investimet italiane tradicionalisht kanë qenë të përqendruara kryesisht në sektorët e shërbimeve (banka dhe call center) dhe në industrinë përpunuese me material porositës, por në vitet e fundit ka pasur edhe pjesëmarrje në investimet në energjetikë.
Duke parë tendencat sektoriale, mund të hamendësohet se ndikim të konsiderueshëm, sidomos në vitet e fundit, mund të kenë edhe blerjet e shtetasve italianë në tregun e pasurive të paluajtshme në Shqipëri.
Për sa u takon investitorëve të tjerë tradicionalë, investimet greke tashmë kanë rënë pranë nivelit të 250 milionë euro dhe pritet të pakësohen më tej, pasi statistikat të regjistrojnë edhe finalizimin e shitjes së Alpha Bank (u zyrtarizua në tremujorin III).
Nga viti 2017 e deri në mesin e këtij viti, stoku i investimeve greke është tkurrur me afërsisht 1 miliard euro. Rënia është rezultat i shitjes së njëpasnjëshme të disa investimeve të rëndësishme, si banka tregtare dhe kompanisë së shërbimeve celulare Telekom Albania (sot ONE).
Shitja e Telekom solli edhe rritjen e ndjeshme të investimeve bullgare, që në mesin e këtij viti shënuan vlerën e 689 milionë eurove.
Në fakt, ONE u shit sërish këtë vit tek një konsorcium i përbërë nga kompania 4iG dhe qeveria hungareze, por, edhe në këtë rast, marrja e kontrollit është bërë në nivel të kompanisë holding të regjistruar në Bullgari./monitor