Intervista/Garry Kasparov:Putin e ka humbur mitin e pathyeshmërisë, fundi i regjimit të tij është i pashmangshëm

Nga Federiko Fubini “Corriere della Sera

Përkrtheu: Alket Goce-AlbEu.com

Garry Kasparov është një nga kundërshtarët më të mëdhenj të regjimit të Vladimir Putin. Tek zhvillimet e fundit ai sheh rrugën që mund të çojë në shkatërrimin e tij. Por ai paralajmëron se ky nuk do të jetë fundit i tragjedisë ruse.

Si e lexoni kryengritjen e Yevgeny Prigozhin dhe më pas vendimin e tij për ta ndaluar atë?

Vladimir Putini tha në fjalimin e së shtunës se Rusia po goditej me thikë pas shpine si në vitin 1917. Por analogjia që më vjen në mendje është me marrjen e pushtetit nga Benito Mussolini. Ai marshoi në Romë në vitin 1922 duke u mbështetur tek akuzat e veteranëve të luftës ndaj qeverisë së kohës. Edhe Prigozhin u përpoq të marshonte në Moskë për të përmbysur pushtetin, edhe pse pak orë më vonë vendosi të ndalonte.

Ai tha se donte të shmangte gjakderdhjen…

Ne nuk e dimë me saktësi se çfarë ka ndodhur. Dimë se as Prigozhin dhe as Putin nuk kanë fare problem të derdhin gjakun e të tjerëve. Për ta nuk ka rëndësi nëse janë ukrainas apo rusë. Ata janë të interesuar vetëm për pushtet dhe para. Nëse arritën një marrëveshje të shtunën, mendoj se ka ndodhur vetëm mbi këtë bazë. Prandaj ajo do të zgjasë vetëm për aq kohë sa fuqia dhe paratë janë të garantuara për të dy.

Putini duket i sigurt për momentin. Është vërtetë apo vetëm në dukje?

Në çdo rast, fundi i regjimit të tij duket tashmë në horizont. Vladimir Putin nuk mund të qëndrojë në pushtet edhe për shumë kohë pasi ta ketë humbur aureolën, statusin e tij si një lider i pathyeshëm.

Imazhi që përçoi tek të gjithë në fundjavë është ai i një diktatori që bën gjithçka për të shpëtuar jetën. Për disa orë, u shemb i gjithë zinxhiri komandues rus. Kolona e trupave të mercenarëve të Wagner ishte në gjendje të merrte Rostovin dhe më pas të përparonte e patrazuar për qindra kilometra drejt Moskës.

Por a nuk mendoni se me këtë që ndodhi, Putin ka vërtetuar se nuk mund të ketë sukses asnjë kryengritje kundër tij?

Situata mbetet jashtëzakonisht e paqëndrueshme dhe e rrezikshme. Autoriteti i Putin është dëmtuar, dhe unë dyshoj se mund të rikuperohet ndonjëherë. Ajo që pamë në fundjavë nuk ishte një episod i luftës civile, sepse deri më tani civilët nuk janë përfshirë. Por nuk ishte larg atij skenari. Ndaj ajo që ndodhi nuk mund të kalojë pa pasoja.

Çfarë ju bën të mendoni se sistemi i Putinit mbështetet mbi baza kaq të brishta?

Është një pushtet mafioz shumë i egër ndaj njerëzve të varfër.

Pabarazia në shoqërinë ruse ka arritur nivele më të larta se sa ato në Afrikë. Putin dërgoi në luftë qindra mijëra burra nga provincat më të varfra të Rusisë. Ai ka kursyer banorët e Moskës dhe Shën Petersburgut, por në pjesën tjetër të vendit ka 200 mijë të vdekur ose të plagosur.

Tashmë të gjithë kanë lidhje me dikë që është vrarë apo gjymtuar në Ukrainë. Në Rusi ka një kërkesë të madhe për drejtësi sociale, pabarazitë janë të jashtëzakonshme dhe lufta i ka bërë ato edhe më të dhimbshme.

A është i besueshëm shpjegimi se Prigozhin e ndaloi marshimin drejt Moskës, sepse e kuptoi se s’mund të fitonte?

Nuk e dimë më saktësi, por ai mund të kishte arritur në Moskë. Ka të ngjarë që në kryeqytet të ndodhin përleshje të ashpra. Prigozhin ka një kontigjent prej 5-10 mijë ushtarësh, që janë pak në krahasim me 100 mijë trupat e Rosgvardia. Por kjo nuk është vetëm çështje numrash: më të rëndësishme janë cilësia dhe vendosmëria.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Wagner ka në përbërje të tij njerëz që kanë luftuar tashmë në front. Shumë prej tyre janë kriminelë të marrë nga burgjet, por në mesin e tyre janë edhe disa nga luftëtarët më të mirë në botë. Dhe ata nuk kanë frikë që të vdesin. Ndoshta Putini ka ende gjeneralët në anën e tij, por ai nuk i ka më togerët apo oficerët.

Çfarë mendoni se e shkaktoi revoltën e Prigozhin ndaj qeverisë në Moskë?

Dekreti që sanksiononte kalimin nga data 1 korrik të të gjitha milicive private nën kontrollin e Ministrisë së Mbrojtjes. Në atë moment Prigozhin nuk kishte asgjë për të humbur: Ata do t’i kishin hequr kontrollin e Wagner, dhe ai e dinte se do të dërgohej të vdiste në vijën e parë të frontit.

Çfarë pasojash shihni për luftën në Ukrainë?

Unë do të habitesha nëse ukrainasit nuk do të përpiqen të përfitojnë nga kjo situatë për të sulmuar dhe rimarrë më shumë territore në ditët në vijim. /albeu.com


Shtuar 26.06.2023 09:43