Nga Erlis Çela
Pak kohë më parë, një ish kolegu im gazetar më kërkoi një koment në lidhje me një analizë të publikuar në një portal lajmesh. Për këtë rast kishte dyshime se autorja e shkrimit nuk ishte një person real dhe se përmbajtja ishte gjeneruar me ndihmën e inteligjencës artificiale. Artikulli kishte të bënte me zhvillimet e brendshme në Partinë Demokratike pas humbjes të zgjedhjeve të 11 majit. Në atë kohë unë komentova fenomenin e dezinformimit dhe rrezikun që paraqet përdorimi i inteligjencës artificiale për përhapjen e lajmeve të rreme. Pas kësaj ngjarje jam për përpjekur të thellohem dhe të reflektoj për marrëdhënien e gazetarisë dhe veçanërisht gazetarisë shqiptare me inteligjencën artificiale. Disa muaj përpara kësaj ngjarje së bashku me dy kolegë të tjerë studiues të fushës se medias dhe gazetarisë, u përpoqëm të studiojmë implikimet e përfshirjes së inteligjencës artificiale në redaksitë e medias në Shqipëri. Rezultatet e studimit tonë treguan se IA është futur tashmë në disa prej rutinave të gazetarisë siç është, mbledhja e informacionit, përkthimi, verifikimi i imazheve, analiza e trendit të lajmeve, etj. Ndonëse jo në ritmin e mediave perëndimore, përdorimi i inteligjencës artificiale, në median shqiptare ka filluar të çelë shtigje të reja diskutimi dhe debati.
Nëse e kthejmë vështrimin në arenën ndërkombëtare, ndryshimi që po sjell integrimi IA në media, duket se po ndodh me ritme shumë të shpejta. Sipas raportit më të fundit të Reuters Institute, “Digital Neës Report 2025”, 7% e përdoruesve në mbarë botën përdorin tashmë chatbot-e që mbështeten nga inteligjenca artificiale si burim të përjavshëm lajmesh. E thënë ndryshe, mijëra njerëz në mbarë botën po informohen nga një program kompjuterik, dhe jo nga një gazetar. Raporti ka gjetur se kjo përqindje shkon në 15% për të rinjtë nën 25 vjeç. Në pamje të parë, kjo mund të duket si një hap përpara drejt rritjes së aksesit në informacion, si dhe përhapjes së shpejtë dhe pa kosto të informacionit. Megjithatë duke parë këto shifra, lind natyrshëm pyetja: çfarë fitojmë dhe çfarë humbim në këtë rrugë të re që ka hapur teknologjia?
Në Shqipëri, diskursi rreth IA në media është pothuajse inekzistent ndonëse siç u përmend të fillim, përdorimi i IA në media është një realitet i prekshëm. Më shumë se një diskutim i orientuar nga dilema, duhet apo jo të përdoret IA në media, vëmendja duhet të orientohet drejt një debati sa akademik aq dhe profesional mbi implikimet pozitive dhe ato negative që sjell në profesionin e gazetarit dhe cilësinë e informimit të audiencave. Ndërkohë, gazetaria shqiptare po kalon një fazë të vështirë, të ngarkuar me probleme të pronësisë, censurës, autocensurës, sigurisë së gazetarëve, kushtet e punës, sensacionalizimi i skajshëm i informacionit, mungesë të besimit të publikut dhe reduktim të rolit kritik të gazetarit. Në këtë kontekst, duket se përdorimi i IA pa një kuadër etik e profesional mbart rreziqe të mëdha.
Nisur nga ky fakt, ajo që e bën të domosdoshëm diskutimin për IA nuk është teknologjia vetë, por mënyra se si ajo përdoret pa një reflektim kritik dhe debat etik-profesional. Tashme është e provuar nga eksperienca në vende të tjera por edhe nga studimet e fundit, se kur përmbajtja prodhohet automatikisht, pa ndonjë proces verifikimi apo ndërhyrje njerëzore, rreziku i përhapjes së shpejtë të dezinformimit është real. Ne tashmë e dimë se një pjesë e lajmeve që qarkullojnë në median shqiptare, online dhe atë tradicionale, mund të jenë të ricikluara ose të përshtatura nga burime jo gjithmonë të sigurta. Një pjesë e medias online që vunan nga probleme të mëdha formalizimi, burime njerëzore të pakta dhe presioni i klikimeve, përfshihet shpesh në kurthin e publikimit të lajmeve që mund të jenë prodhuar me ndihmën e inteligjencës artificiale.
Për të shmangur tekno-fobinë dhe tekno-skepticizmin që shoqëron thuajse çdo zhvillim të rendësishëm teknologjik që ka prekur median dhe gazetarinë përgjatë etapave historike, është e rëndësishme të mos merremi vetëm me “demonizimin” e inteligjencës artificiale. Historiku i medias ka treguar se profesioni i gazetarisë dhe nevoja për informimin e saktë dhe cilësor të audiencave i ka mbijetuar të gjitha dallgëve teknologjike.
Studiuesit dhe profesionistët e fushës kanë një konsusensus përsa i përket potencialit real që ka inteligjenca artificiale për të ndihmuar gazetarinë. Ne e dime tashmë se përdorimi i inteligjencës artificiale mund të ndikojë pozitivisht në shumë procese duke nisur nga përmbledhjet automatike që i kursejnë kohë vlefshme gazetarëve, tek përkthimet që e bëjnë përmbajtjen në shqip të aksesueshme për audiencat jashtë vendit, apo analizat e të dhënave që mund të fuqizojnë gazetarinë investigative. Të gjitha këto janë tregues të mjaftueshëm për të thënë se, nëse përdoret me përgjegjësi, IA mund të ndihmojë median të përmirësohet. Ndihma mund të jetë më e dukshme veçanërisht në redaksitë e vogla që nuk ka burime për të ndërtuar ekipe të plota që mbulojnë proceset dhe rutinat e përditshme të lajmit.
Është e rëndësishme të kuptojmë se ndikimi më i madh nuk vjen domosdoshmërisht nga prodhimi i automatizuar i përmbajtjes, por nga mënyra se si përmbajtja përputhet me shijet e konsumatorëve. Analizat e fundit mbi ekonominë e medias dhe IA, tregojnë se problemi nuk qëndron vetëm te ajo ç’ka ofrojnë algoritmat, por edhe te ajo që konsumatorët kërkojnë. Kjo përbën një përplasje të vazhdueshme mes shijeve personale dhe asaj që është e mirë për shoqërinë, dilemë kjo që e ka shoqëruar hulumtimin shkencor dhe debatin profesional mbi rolin e medias në shoqëri gjatë gjithë historisë. Shumë studiues mendojnë se IA ka potencialin të thellojë fragmentimin e informacionit dhe të rrisë njëanshmërinë, duke i dhënë prioritet përmbajtjeve që plotësojnë dëshirat afatshkurtra të përdoruesve. Për rrjedhojë lihet mënjanë përmbajtja që kontribuon në informim cilësor dhe krjimin e një sferë publike të shëndetshme, elementë të domosdoshëm për funksionimin normal të demokracisë.
Në një bisedë të ditëve të fundit, me titull “Everyone Is Using A.I. for Everything. Is That Bad?”, të publikuar në New York Times, gazetarët Kevin Roose dhe Casey Neëton ndajnë përvojat e tyre personale me përdorimin e IA në punën e përditshme. Ata flasin për mënyrën se si “ChatGPT” ka zëvendësuar Google për pyetjet më të thjeshta, për përdorimin e IA në kërkimin e dokumenteve gjyqësore, madje edhe për asistencë në ideimin e pyetjeve për intervista. Ajo që tërheq vëmendjen në këtë shkrim është paralajmërimi që dy gazetarët bëjnë për efektin afatgjatë që lidhet me zhvendosjen e vlerës së analizës dhe sintetizimit të informacionit nga njeriu te makina.
Nga ana tjetër eksperiencat ndërkombëtare dëshmojnë gjithashtu se inteligjenca artificiale mund të shërbejë si katalizator për një transformim të qëndrueshëm brenda redaksive të medias. Qëllimi i analizimit të rasteve të ndryshme është identifikimi i modeleve të dobishme dhe të qëndrueshme të përfshirjes së inteligjencës artificiale në gazetari, të cilat mund të shërbejnë si udhërrëfyes për median shqiptare. Për median shqiptare, që punon me burime të kufizuara dhe në një treg të fragmentarizuar, këto modele përfaqësojnë jo vetëm inovacione teknologjike, por shembuj konkretë të zhvillimit strategjik. Ndërtimi i mjetëve që ndihmojnë lexuesit të gjejnë përmbajtje cilësore, diversifikimi i përvojës së përdoruesit dhe mbështetja e gazetarëve përmes IA për verifikim faktesh apo analizë të të dhënave janë hapa të domosdoshëm për të rimëkëmbur besimin dhe për të sjellë gazetarinë më afër publikut. Në analizë janë marrë raste studimore nga Gjermania, Italia, Sllovakia, dhe vende të tjera të cilat kanë eksploruar forma të qendrueshme të integrimit të IA në media.
Në Gjermani, shtëpia botuese “Gruner + Jahr”, e cila është pjesë e grupit mediatik RTL, një nga më të mëdhatë në Evropë ndërtoi një komunitet të brendshëm të bazuar në inteligjencë artificiale, ku gazetarët dhe zhvilluesit e programeve kompjuterike punojnë së bashku për të testuar përdorime të reja të teknologjisë në proceset editoriale. Ky projekt synon jo vetëm efikasitetin, por transformimin e kulturës së punës në redaksi.
Ndërkohë një tjetër raste është ai i, Earth Journalism Network, një rrjet global që mbështet gazetarinë mjedisore në vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim. Ky rrjet ka zhvilluar një mjet të quajtur “EarthCheckr”, një program kompjuterik i mbështëtur nag IA, i cili ndihmon gazetarët të identifikojnë deklarata të mundshme për verifikim dhe ofron burime për të kontrolluar saktësinë e tyre. Përdorimi i tij ka rezultuar i dobishëm për gazetarët e pavarur apo ata që janë të angazhuar në redaksi të vogla, pa burime të mjaftueshme për verifikimin e fakteve. Një program i ngjashëm është testuar së fundmi edhe në Shqipëri nga platforma e verifikimit të fakteve, Faktoje. Projekti “The Check”, ndërtoi një chatbot shumëgjuhësh, të bazuar në teknologjinë e retrieval-augmented generation (RAG), me qëllimin për të ndihmuar përdoruesit të marrin përgjigje të sakta dhe të referuara për pyetjet që lidhen me dezinformimin.
Një tjetër rast që tregon përdorimin e IA për t’i shërbyer publikut është ai i gazetës së njohur amerikane Wall Street Journal. Kjo gazetë ka zhvilluar chatbot-in të emërtuar “Lars”, i cili i ndihmon lexuesit të kuptojnë sistemin fiskal amerikan përmes përgjigjeve të personalizuara. Ky Chabot i cili është ndërtuar mbi bazën e përmbajtjes redaksionale dhe burimeve publike të besueshme përbën një shembull që tregon se si IA mund të përdoret për t’iu afruar audiencës, për të rritur përfshirjen dhe për të bërë më të kuptueshme tema dhe çështje tepër komplekse.
Rasti i gazetës italiane “Il Sole 24 Ore” është një tjetër model që vjen në kuadër të përfshirjes së IA në funksion të përmirësimit të eksperiencës së përdoruesit. Gazeta italine zhvilloi një motor kërkimi të avancuar për faqen e saj, i cili i lejon lexuesit të gjejnë më lehtë përmbajtje të thelluar sipas interesave të tyre. Ky mjet përdor inteligjencën artificiale për të ofruar rezultate të personalizuara. Kjo e bën lundrimin e audiencës në përmbajtjen digjitale më aktiv dhe të vlefshëm. Rasti i “Il Sole 24 Ore” mund të shërbejë si një model për median shqiptare online, faqet e të cilave ende karakterizohen nga dizajne të ngurta dhe arkiva të papërdorshme, të cilat nuk ofrojnë asgjë të personalizuar për audiencën.
Nga ana tjetër modeli i, “Ringier Slovakia” tregon një mënyrë për të përfshirë inteligjencën artificiale në prodhimin e përmbajtjes. Këtu futemi në një terren shumë të kontestuar për shkak të frikës dhe dilemave etike që ekzistojnë për rolin e IA në prodhimin e informacionit. Megjithatë “Ringier Slovakia”, pjesë e një grupi mediatik ndërkombëtar që operon në disa vende të Evropës Qendrore dhe Lindore, ka treguar guxim dhe kreativitet në përfshirjen e IA në prodhimin e përmbajtjes. Kjo media integroi inteligjencën artificiale për të automatizuar raportimet e përditshme për motin, duke krijuar rreth 80 artikuj në ditë, të personalizuar për qytete të ndryshme të vendit. Përdorimi i IA në këtë funksion tregon se edhe temat e zakonshme siç janë raportimet mbi motin mund të shndërrohen në vlera të shtuara për audiencën, nëse trajtohen në mënyrë inteligjente dhe teknologjikisht efikase.
Rasti i fundit që kemi marrë në analizë është ai i gazetares Financial Times, një nga institucionet më të respektuara të gazetarisë ekonomike në botë, e cila ka zgjedhur të përdorë inteligjencën artificiale për të përmbledhur artikuj, për të analizuar të dhëna të ndërlikuara dhe për të sugjeruar pyetje që nxisin komentet e lexuesve. Ky është një shembull ku teknologjia jo vetëm që e mbështet gazetarin, por edhe mund ta ndihmojë të jetë më efikas dhe më i saktë në profesionin e tij.
Përfundimi kryesor kur analizon këto raste dhe shumë të tjera që shtohen çdo ditë në media të ndryshme anë e mbanë botës, është se tashmë ka kaluar kohë për diskutimin nëse duhet apo jo ta përdorim inteligjencën artificiale. Është e rëndësishme të kuptohet ka ardhur momenti që vëmendja të orientohet drejt gjetjes se kornizave për një përdorim etik dhe të përgjegjshëm të IA. Për median shqiptare është momenti që të shpenzojë kohë dhe energji për zhvillimin e politikave editoriale, manualeve dhe udhëzimeve për përdorimin e inteligjencës artificiale, trajnimin e gazetarëve, dhe rritjen e transparencës me publikun. Nëse arrijmë që të orientojmë diskutimin në këtë drejtim, pa humbur kohë, mund të kapim ritmin e vendeve të tjera për përfshirjen e inteligjencës artificiale në media si një aleate për një gazetari më të mirë dhe informim cilësor e të saktë të audiencave.