Nga Alexander Demling “Der Spiegel”
Përktheu Alket Goce – AlbEu
Amitai Etzioni ishte një nga intelektualët amerikanë më me ndikim të shekullit XX-të. Ndërkohë djali i tij Oren, 59 vjeç, është një pionier në studimin e Inteligjencës Artificiale.
Ai ishte një nga mendjet kryesore prapa ideologjisë së komunitarizmit, që ndryshe nga liberalizmi klasik, thekson lidhjen midis individëve dhe komunitetit.
Ka dhënë për shumë vite mësim në Universitetet e Harvardit dhe Xhorxh Uashington,
dhe ka këshilluar disa politikanë, përfshirë ish-kancelarin gjerman Helmut Kohl dhe ish-presidentin e SHBA-së, Barack Obama. Shkrimet dhe ekspertiza e tij mbi një gamë të gjerë temash i dhanë atij titullin “Profesioni i një Njeriu” nga revista “Time”.
Etzioni lindi në Këln me emrin Werner Falk përpara se të arratisej nga Gjermania naziste
për në SHBA. Oren Etzioni ishte deri vitin e kaluar kreu i Institutit Allen për Inteligjencën Artificiale, instituti kërkimor i nisur nga bashkëthemeluesi i ndjerë i Microsoft, Paul Allen. Më herët, Oren ka dhënë leksionet për shkenca kompjuterike në Universitetin e Uashingtoni, ku kreu kërkime në mësimin e makinerive dhe motorët e kërkimit në internet. Është ai që shpiku termin “lexim me makinë”, që është një nga shtyllat e modeleve të mëdha gjuhësore si ChatGPT. Që të dy kanë dhënë intervista të shumta në jetën e tyre, por kjo është e para që kanë dhënë së bashku. Në maj ata pritën një korrespondent të “DER SPIEGEL” në apartamentin e babait pranë hotelit Watergate në Uashington.
U zhvillua një bisedë mbi çështjet me të cilat ata janë marrë gjatë gjithë jetës së tyre, duke u fokusuar në revolucionin ChatGPT dhe pasojat e tij për shoqërinë tonë. Kjo do të ishte intervista e fundit e rëndësishme e Amitai Etzioni. Ai vdiq dy javë më vonë në moshën 94-vjeçare.
Pyetja e parë ju drejtohet të dyve, babë e bir. A keni frikë nga Inteligjenca Artificiale?
Oren Etzioni:Inteligjenca Artificiale nuk është një krijesë si përbindëshi Goliat apo Frankenshtajni. Ai është thjesht një mjet, edhe pse shumë i fuqishëm. Unë nuk kam frikë nga vetë mjeti, kam frikë nga mënyra se si njerëzit do ta përdorin atë. Për shembull aktorë keqdashës ose shtete diktatoriale.
Amitai Etzioni:Në një moment gjatë Revolucionit Industrial, njeriu e humbi kontrollin e përparimit teknologjik dhe ekonomik. Që nga ajo kohë po përpiqet ta rimarrë atë kontroll. Inteligjenca Artificiale e bën këtë garë edhe më të shpejtë dhe më të vështirë për t’u fituar. Njëkohësisht, po shfaqen lëvizje të reja shoqërore që nuk duan një shoqëri në të cilën do të na dominojnë këto forca.
A shihni njerëz që po protestojnë kundër Inteligjencës Artificiale?
Amitai Etzioni:Të paktën ka disa paralajmërues. Këtu përfshihen edhe njerëzit që refuzojnë të kthehen në zyrë pas pandemisë. Ata thonë: Unë dua të kaloj më shumë kohë me familjen time, dua të luaj video-lojëra në vend që të kaloj kohë në trafik. Tek e fundit, AI është vetëm maja e ajsbergut për një konflikt shumë më të madh që zien në shoqërinë tonë: A është në qendër njeriu apo makina?
Oren Etzioni:Unë dhe im atë nuk jemi aspak dakord në këtë pikë. Sepse e cilëson një fantashkencë idenë se Inteligjenca Artificiale po komploton kundër njerëzimit nga një qendër e të dhënave dhe se ajo funksionon pa zhurmë. Sigurisht, teknologjia nuk është neutrale, por në fund vendimet i marrin njerëzit.
Dhe njerëzit e plotfuqishëm që përdorin këto mjete nuk janë politikanë por sipërmarrës të teknologjisë. Këtë fuqi e ka Mark Zuckerberg dhe Elon Musk dhe jo AlphaGo (programi i AI që mposhti më të mirët në botë në lojën e tavolinës Go në 2017).
Kolegu juaj Geoffrey Hinton, që hodhi bazat shkencore për bumin aktual që po përjeton AI, ka pasur frikë nga krijimi i tij…
Oren Etzioni:Me modele të mëdha gjuhësore si GPT-4, duhet të bëni dallimin midis inteligjencës dhe autonomisë. Intuitivisht ndodh që ne i bashkojmë shpesh të dyja gjërat, sepse njerëzit janë inteligjentë dhe autonomë. GPT-4 është shumë i sofistikuar dhe disi inteligjent, por nuk ka vullnetin e tij. Se sa autonomi merr ai, është një çështje politike dhe jo teknologjike. Për këtë vendosin njerëzit.
Amitai Etzioni:Nuk jam dakord. Çdo ilaç i ri në SHBA ka nevojë për miratim nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave. Por nëse disa njerëz në San Francisko shpikin një teknologji të re për falsifikime më të mira, ne duhet të jetojmë me këtë realiteti, edhe nëse kjo shkon kundër vlerave dhe vullnetit tonë politik. Ne nuk mund t’i ndalnim dot edhe po
të donim.
Pse jo?
Amitai Etzioni:Sepse kjo teknologji është tashmë e pranishme në botë. Edhe nëse do të kishim një traktat me Kinën, a do ta respektonte Rusia, Venezuela,Jemeni?
Kreu i kompanisë OpenAI Sam Altman, po apelon që të rregullohet industria e tij…
Oren Etzioni:Unë nuk mendoj se kjo është mënyra më e mirë. Ne kemi nevojë për një rregullim specifik. A duhet që një ligj i vetëm i AI të mbulojë gjithçka, nga chatbot-et deri te kontrolli i armëve tona bërthamore? Është më mirë t’i përshtatim me realitetin e ri ligjet tona ekzistuese për të drejtën e autorit, kërkimin mbi ilaçet e reja dhe për të gjitha këto fusha.
Le të flasim për rreziqet që vijnë nga njerëzit që përdorin këto mjete të fuqishme. Nga çfarë keni më shumë frikë?
Oren Etzioni:Për zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Dhe çdo zgjedhje tjetër. Shtypshkronja e Gutenberg e bëri shumë të lirë kopjimin e informacionit, interneti e bëri të lirë shpërndarjen globale, dhe tani informacioni po bëhet i lirë për t’u prodhuar. Votuesit mund të bombardohen me mesazhe që duken sikur janë thënë nga Elon Musk ose Angela Merkel. Duhet të rregullohet veprimtaria e aplikacioneve të tilla dhe jo e GPT-4.
Amitai Etzioni:Inteligjenca Artificiale do të shkatërrojë të vërtetën. Ju nuk do të mundeni t’u besoni më syve dhe veshëve tuaj. Kjo është një sfidë për demokracinë dhe për komunitetin tonë.
Cili gënjeshtar është më i rrezikshëm për demokracinë: Donald Trump apo ChatGPT?
Amitai Etzioni:Në një periudhë afatshkurtër, ky çmim i shkon ende Trumpit. Ai ka një mundësi reale për të qenë sërish president. ChatGPT ka të ngjarë të mos ndodhë kurrë. Por në terma afatgjatë, AI përbën kërcënimin më të madh.
Oren Etzioni:Një demagog karizmatik që mund të manipulojë njerëzit është më i rrezikshëm në planin afatgjatë. ChatGPT nuk shkruan fjalime emocionuese dhe rezultati i tij është goxha mesatar, të paktën deri më tani. Por ai mund të komandojë në të njëjtën kohë shumë profile miqësore ndaj Trumpit në Facebook dhe Twitter. Këtu buron edhe rreziku i vërtetë: Donald Trump i kombinuar me paratë për të paguar për 1 milionë mini-GPT.
Amitai Etzioni:Etërit Themelues të Amerikës kishin frikë se turma do të joshej nga një udhëheqës karizmatik. Kjo është arsyeja pse ata krijuan një demokraci indirekte: çdo 2 vjet njerëzit lejohen të votojnë, dhe në periudhën midis mbajnë gojën mbyllur. Teknologjia e sfidon këtë sistem, pasi tani një lider mund të depërtojë direkt tek masat. Trump tashmë ishte në gjendje ta bënte këtë me Twitter, dhe do të jetë edhe më efektiv me chatbots.
Imazhet e krijuara nga AI të Papës me një xhup të bardhë të fryrë, dhe programe që klonojnë zërat nga disa mostra të të folurit po qarkullojnë tashmë në rrjet. Si ta kontrollojmë këtë valë të madhe të përmbajtjes së rreme?
Oren Etzioni:Nuk ka ilaç specifik, rregullimi mund të jetë vetëm pjesë e zgjidhjes. Për shembull, dikush mund të kërkojë vërtetim dixhital, një lloj filigrani që duhet të përfshijë e gjithë përmbajtja e prodhuar nga AI. Teknologjia për këtë është gati. Por mbeten problemet e rregullatorëve. Ato janë kombëtare, ndërsa problemi është ndërkombëtar. Na duhen mjete të tjera.
Cilat mund të jenë ato?
Oren Etzioni:Arsimi. Ne duhet të mësojmë se si ta përdorim këtë teknologji. Mashtruesit e gjyshërve mund të duken si nipat e vërtetë të tyre. Një ditë, dikush që u hoq si kolegu im duke më dërguar një mesazh për të më kërkuar një nder. E kuptova se kisha të bëja me një mashtrues vetëm kur më pyeti për kartat e dhuratave të Apple. Sot pas çdo telefonate duhet të pyesim veten: A është vërtet ai që thotë se është?
Magjepsja globale pas ChatGPT ka shkaktuar një garë midis Microsoft, Google dhe Meta për modelet më të mira të AI. A është teknologjia shumë e rrezikshme për t’ia lënë ekonomisë private?
Amitai Etzioni:Në të ardhmen do të kemi një përqendrim edhe më të madh të pasurisë në duart e pak njerëzve. Nuk është aspak e rëndësishme nëse në fund të garës do të triumfojë Microsoft apo Google. Rëndësi ka nëse industria në tërësi do të pengojë Kongresin e SHBA-së që të miratojë rregulla efektive për të.
Oren Etzioni:Ndërkohë mbetet në fuqi e vërteta themelore e teknologjisë: Ka nxjerrë nga varfëria qindra miliona njerëz.
Amitai Etzioni:Pyetja është, a do të vazhdojë ta bëjë këtë? Në shekujt e fundit, teknologjia na ka çuar nga Mesjeta në një shoqëri të pasur. Çfarë do të sjellin shekujt e ardhshëm? Vetëm më shumë pajisje?
E shihni Inteligjencën Artificiale kryesisht si një kërcënim për shoqërinë tonë?
Amitai Etzioni:Aspak. Emocionet e rreme mund të jenë të dobishme në ndërtimin e kompjuterëve empatikë. Deri tani i kemi mbyllur të moshuarit nëpër azile vetëm sepse është më e lehtë për t’u menaxhuar. A është më mirë që një kompjuter të thotë “Jam i lumtur që të dëgjoj” sesa askush? Unë vetë do të preferoja këtë./albeu.com
*Marrë me shkurtime