Për tre ditë me radhë, Kosova është bërë cak i sulmeve kibernetike të koordinuara, që dyshohet se vijnë nga grupe hakerësh me origjinë ruse dhe me përkrahje të mundshme nga shteti rus.
Sulmet kanë goditur një sërë institucionesh shtetërore dhe organizatash, përfshirë faqen zyrtare të Kryeministrit, ministritë, Aeroportin e Prishtinës dhe platforma të tjera të rëndësishme publike.
Kështu ka bërë të ditur studiuesi i sigurisë kibernetike Halil Berisha në një postim në Facebook. Berisha thekson se këto sulme lidhen direkt me qëndrimin politik të Kosovës ndaj luftës në Ukrainë.
“Arsye për këtë është përkrahja ushtarake që ia bën Kosova Ukrainës”, tha Berisha.
Sipas tij, natyra e sulmit është e qartë dhe e identifikueshme. “Sipas të gjitha shenjave, sulmi është DDoS dhe të dhënat janë të sigurta.”
Ai sqaron se një sulm i tillë çon vizita në numër aq të madh njëkohësisht sa që ëebfaqet nuk mund t’i përballojnë.
Pavarësisht këtij presioni të madh, institucionet e Kosovës kanë reaguar shpejt dhe me efikasitet.
“Institucionet e Kosovës kanë reaguar në mënyrë shumë të shpejtë dhe kanë mbrojtur infrastrukturën ndaj këtyre sulmeve ruse,” nënvizon Berisha, duke shtuar se “ky reagim dëshmon që Kosova ka kapacitete njerëzore që duhet të merren seriozisht në këtë punë.”
Megjithatë, ai thekson se ende ka hapësirë për përmirësim, veçanërisht në parandalimin e sulmeve të ardhshme.
“Reagimi ka qenë i shpejtë për t’u mbrojtur, mirëpo në aspektin e parandalimit të këtyre sulmeve nevojitet punë edhe më e madhe”, ka shkruar Berisha.
Sipas tij, rreziku nuk ka kaluar ende, pasi grupe të tjera janë duke u organizuar për të nisur një valë të re sulmesh.
“Këto grupe ruse janë duke u përgatitur për një valë të re sulmesh, ku mund të përfshihen edhe kompanitë, kështu që për mbrojtje duhet të fillohen përgatitjet nga secili institucion, agjenci, kompani e organizatë,” paralajmëron ai.
Ndryshe, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka njoftuar më 09.04.2025 se faqja e saj në internet është nxjerrë jashtë funksionit si masë sigurie për shkak të sulmeve kibernetike që dyshohet se po ndodhin nga grupe hakerësh të lidhura me rrjetet ruse dhe ato serbe.
QKSS bën të ditur se përkundër këtyre tentativave faqja e saj mbetet e paprekur edhe pse momentalisht është jashtë funksioni për shkaqe sigurie.