INSTAT: Ulet numri i lindjeve në vend dhe rritet numri i jetëve të humbura

Sipas të dhënave që ofron INSTAT, në Shqipëri tremujori i dytë i këtij viti ka shënuar një numër në ulje të lindjeve në vend, krahasuar me të njëjtën peiudhë të një viti më parë. Po në të njëjtën periudhë është shënuar një rritje e lehtë e numrit të jetëve të humbura.

Gjithnjë sipas INSTAT, duke bërë një krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, për periudhën prill-qershor të 2024 numri i lindjeve është 5.269, një rënie 3,4 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2023.

Ndërkaq numri i vdekjeve është 5.014, duke shënuar një rritje prej 1,3 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2023.

Bilanci i shtesës natyrore të popullsisë është 255 lindje më shumë se vdekje.

Në tremujorin e dytë 2024, dy qarqe të vendit shënojnë rritje të numrit të lindjeve, ndërsa dhjetë qarqe të tjera shënojnë ulje, në krahasim me tremujorin e dytë 2023.

Qarku me numrin më të lartë të lindjeve është Tirana me 2.013 lindje, ndërsa qarku me numrin më të ulët është Gjirokastra me 70 lindje.

Rritjen më të madhe në përqindje të lindjeve, gjatë tremujorit të dytë 2024, krahasuar me të njëjtën përiudhë të një viti më parë e ka qarku i Beratit me 3,2 %, ndërsa rënien më madhe e ka qarku i Gjirokastrës me 18,6 %.

Por pavarësisht kësaj, sipas të dhënava nga INSTAT shtesa natyrore e popullsisë për tremujorin e dytë 2024 rezulton pozitive, duke regjistruar 255 lindje më shumë se sa vdekje. Qarku me shtesën natyrore më të lartë është Tirana, me 741 lindje më shumë sesa vdekje, ndërsa qarku me shtesën natyrore më të ulët është Korça, me 187 vdekje më shumë se sa lindje.

Sa i takon vdekshmërisë në vend, sipas INSTAT në tremujorin e dytë 2024, numrin më të ulët të vdekjeve e ka shënuar Kukësi me 110 vdekje, i ndjekur nga Gjirokastra me 162 humbje jete, ndërsa qarku me numrin më të lartë është Tirana me 1.272 vdekje, dhe më pas vjen Fieri.

Në përqindje uljen më të madhe të vdekjeve gjatë tremujorit të dytë 2024, krahasuar me 2023 e zë qarku i Beratit me rënie prej 13,2%, ndërsa rritjen më të madhe e ka qarku i Fierit me 14,3%.

LINDJET NË SHQIPËRI

Prill-Qershor 2023 5452 fëmijë
Prill-Qershor 2024 5269 fëmijë
DIFERENCA -183 fëmijë

VDEKJET NË SHQIPËRI

Prill-Qershor 2023 4950 jetë të humbura
Prill-Qershor 2024 5014 jetë të humbura
DIFERENCA +64 vdekje më shumë

SHTESA E POPULLSISE

Prill-Qershor 2024 5269 fëmijë
Prill-Qershor 2024 5014 jetë të humbura
Shtesa natyrore +255 lindje më shumë se vdekje


Shtuar 16.08.2024 17:12