INFOGRAFIK/ Gënjeshtra dhe të vërteta, pse po blejnë shqiptarët naftën me 196 lekë?

Nga Emirjon Senja/ Shqiptarët janë duke u përballur me nivele rekord të çmimit të karburanteve. Aktualisht, një litër naftë po shitet mesatarisht me 196 lekë për litër, ndërsa një litër benzinë 198 lekë për litër.

Në çdo rast, kur kërkohen shkaqet e shtrenjtimit të karburajteve në vend, gishti drejtohet nga tregu ndërkombëtar dhe fjala magjike e justifikimit është “bursa”.

Ka një të vërtetë në këtë drejtim pasi rritja e tensioneve gjeopolitike në zonat që njihen si prodhueset më të mëdha të naftës në botë si edhe hapja e ekonomive pas “lockdoën-it” prej pandemisë kanë rritur ndjeshëm presionin ndaj çmimeve të karburanteve, por si gjithnjë, gjysmë të vërtetat janë më pranë gënjeshtrës.

Çmimi i një barrele naftë ndër vite. Burimi: Reuters

Kjo, sepse bota është përballur edhe më parë me çmime të larta të karburanteve në tregje, por shqiptarët asnjëherë nuk e kanë paguar një litër naftë me 196-198 lekë litri.

Përgjatë 10 viteve të fundit, çmimi maksimal i një fuçie naftë në tregjet ndërkombëtare është shënuar në tremujorin e dytë të vitit 2014 duke arritur deri në 115 dollar.

Në atë kohë, shqiptarët e blinin një litër naftë me mesatarisht 182 lekë për litër. Ky ishte edhe kulmi, ndërsa më pas çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare filluan të uleshin duke u reflektuar me shumë vonesë dhe jo të plota në tregun tonë.

Mjafton ky tregues për të kuptuar se justifikimi i shtrenjtimit të karburantit në bursa, gjë e cila pasqyrohet brenda natës edhe për shqiptarët nuk është tërësisht i saktë. Shembulli i mësipërm e tregon këtë. Edhe në kulmin e çmimit të naftës në botë, shqiptarët e blinin naftën mesatarisht 182 lekë/ litri, por çfarë ndodhi më pas?

Taksat

Shqipëria është një ndër vendet e rajonit që takson ndjeshëm karburantet. Çdo shqiptar kur mbush makinën e karburant paguan një mori taksash.

Ndarja e kostos së çmimit final të naftës në Shqipëri. Përllogaritjet janë të përafërta për shkak të ndryshimit të vazhdueshëm të çmimit fillestar të naftës që importohet. Në çmimin final nuk është përllogaritur fitimi i tregtarit.

Kështu, sipas grafikut të mësipërm, i cili i referohet një çmimi mesatar sot të naftës në treg, kur shoferi paguan 196 lekë për litër si çmim final të naftës që blen, ai ka paguar 37 lekë akcizë (38 e indeksuar me nivelin e inflacionit); 27 lekë taksë qarkullimi; rreth 33.4 lekë TVSH, 3 lekë taksë karboni; 1 lekë taksë markimi; 0.1 lekë taksës magazinimi si edhe fitimin e tregtarit.

Për çdo litër naftë të blerë sot, paguhen rreth 102.8 lekë/ litër taksa dhe 91 lekë/ litër kosto fillestare të karburantit. Në çmimin final nuk është përllogaritur fitimi i tregtarit

Përllogaritet që shteti shqiptar të vjelë rreth 99.5 deri në 108 lekë taksa për çdo litër karburant të futur në vend. Diferenca varion nga çmimi me të cilin karburanti futet në Shqipëri. Praktikisht, shqiptarëve iu shkon për taksa më shumë se gjysma e çmimit final të një litri naftë.

Sëfundmi, me ndryshimet e fundit në paketën fiskale gjatë vitit të shkuar, qeveria aplikoi për herë të parë indeksimin e akcizës së mallrave me nivelin e inflacionin.

Një regjim i tillë u aplikua që nga data 1 janar e këtij viti duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë të çmimet e mallrave me akcizë, ku bëjnë pjesë edhe karburantet.

Çmimet pritet të rriten edhe më gjatë këtij viti, gjë që me politikën e ndjekur do të përkthehet në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në çmimet e karburanteve, alkoolit, kafesë, duhanit dhe plastikës. /abcnews.al/


Shtuar 2.02.2022 18:03