Inflacioni bazë u rrit në dhjetor, arriti nivelin më të lartë në shtatë muajt e fundit

Inflacioni bazë e mbylli vitin 2024 në rritje, ku sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, inflacioni bazë për dhjetorin arriti në 2.5%, nga 2.34% që kishte për nëntorin.

Niveli i dhjetorit ishte njëkohësisht më i larti që prej muajit mars 2024. Me bazë vjetore, megjithatë, inflacioni bazë rezultoi sidoqoftë në rënie. Në fund të vitit 2023, ky tregues kishte qenë në nivelin 3.2%.

Inflacioni bazë llogaritet nga Banka e Shqipërisë, për një grup mallrash dhe shërbimesh që zënë 69% të peshës në shportën e përgjithshme të Indeksit të Çmimeve të Konsumit.

Inflacioni bazë përjashton ato produkte që zakonisht kanë luhatshmëri të lartë, kryesisht produktet ushqimore dhe ato energjetike.

Qëllimi i llogaritjes së inflacionit bazë, është ta zhveshë rritjen e përgjithshme të çmimeve nga luhatjet me natyrë më afatshkurtër. Në veçanti, inflacioni bazë lidhet me presionet e brendshme inflacioniste, që në vitet e fundit janë ndikuar shumë prej rritjes së kostos së punës të bizneseve.

Përkundrejt rritjes së inflacioni bazë, inflacioni bazë neto për dhjetorin pësoi një rënie të lehtë në 2.21%, nga 2.22% që kishte qenë për nëntorin. Edhe inflacioni bazë neto është në rënie vjetore krahasuar me nivelin 3.38% të një viti më parë.

Inflacioni bazë neto përjashton më tej nga inflacioni edhe nëngrupet e ushqimeve të përpunuara (përfshirë bukën dhe drithërat) dhe matet mbi 44.6% të shoqërisë së IÇK-së.

Ndërkohë, inflacioni që përjashton të gjitha produktet ushqimore dhe energjetike për muajin dhjetor ishte në nivele të përafërta, me 2.2%.

Të dhënat e mësipërme tregojnë se sinjalet e kthimit të rritjes së inflacionit bazë në dhjetor ngelen kryesisht të lidhura me produktet ushqimore dhe ato energjetike.

Sipas INSTAT, inflacioni mesatar në ekonomi e mbylli vitin 2024 në nivelin 2.1%, në rënie të ndjeshme nga niveli prej 4% i fundit të vitit 2023.

Vitin e kaluar, inflacioni pësoi një rënie më të madhe se pritshmëritë. Kjo solli edhe ndryshimin e kursit të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë, që iu kthye uljes së normës bazë të interesit. Norma bazë u ul dy herë gjatë vitit 2024, në nivelin 2.75%.

Pas mbledhjes së dhjetorit, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë u shpreh se kushtet monetare aktuale janë të përshtatshme për kthimin e inflacionit në objektiv gjatë viti 2025.

Sipas analizave të Bankës së Shqipërisë, rënia e inflacionit gjatë vitit të kaluar janë diktuar nga ecuria e ngjashme e këtij treguesi në partnerët tanë tregtarë, nga çmimet e ulëta të artikujve bazë në tregjet botërore, si dhe nga forcimi i mëtejshëm i kursit të këmbimit.

Nga ana tjetër, nivelet më të qëndrueshme të inflacionit të gjeneruar brenda ekonomisë së brendshme kanë pasqyruar kërkesën e lartë për mallra e shërbime dhe rritjen e shpejtë të pagave dhe të kostove të prodhimit./Monitor


Shtuar 20.01.2025 12:19