Duket se më në fund është zbardhur rasti i infektimit të fëmijëve në kopshtin publik në qytetin e në Gramshit.
Gazetari Osman Stafa ka siguruar për BalkanWeb rezultatet e analizave, nga ku ka dalë se produkti që ka shkaktuar infektimin ka qenë veza, e cila ka qenë e kontaminuar me salmonelë.
Nga analizat e mëparshme të kryera në qumësht dhe mishin e pulës, rezultatet ishin negative.
Ndërkohë vetëm dy ditë më parë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit ka bërë me dije se nga analizat e kryera, nuk kanë rezultuar me përmbajtje salmonelë për të paktë dy produkte.
Komunikim për publikun i AKU
Në kuadër të transparencës, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon ndjekjen e procedurave ligjore dhe informimit të publikut, lidhur me kampionaturat e marra në produktet ushqimore lëndë e parë në kopshtin Nr .1 në qytetin e Gramshit dhe në subjektin furnizues në Tiranë, të cilat u dërguan për analizim për treguesin Salmonella spp pranë Laboratorit të Referencës në ISUV.
Informojmë se për mostrat e dërguara për analizim për produktet lëndë e parë qumësht dhe kofshë pule, të kampionuara nga DRAKU Elbasan, si dhe produktet qumësht, kofshë pule, vezë e kampionuar nga DRAKU Tiranë, kanë rezultuar të pastër për treguesin Salmonella spp.
Ndërsa për produktin vezë kampionuar nga DRAKU Elbasan dhe kofshë pule kampionuar nga DRAKU Tiranë, analizimi është ende në proces.
Sapo të kemi këtë informacion, AKU do të vijojë me informimin e mëtejshëm të publikut.