Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja për Antikorrupsionin në PD, Genta Vangjeli, ka reaguar lidhur me skandalin e infektimit të fëmijëve me bakterin salmonela në çerdhet dhe kopshtet e qytetit të Gramshit, duke akuzuar drejtpërdrejt kryetarin e bashkisë, Besion Ajazi, për fshehje të të vërtetës dhe shpërdorim të fondeve publike.
Genta Vangjeli, theksoi se kryebashkiaku ka mashtruar opinionin publik kur tha se; “nuk kishte dijeni për emrin e kontraktorit”, “nuk dinte vlerën e tenderit” dhe se “nuk mund të dinte gjithçka për një kontratë të prokurimit”.
PD thekson se kompania fituese, ‘Nelsa shpk’, ka një të kaluar problematike. Sipas saj, në vitin 2018 kjo kompani ishte pjesë e një çështjeje të njohur për korrupsion në tenderat publikë dhe u përfshi në një vendim penal të formës së prerë nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda.
Deklarata e Vangjelit:
Kur gazetarët e pyetën për kontraktorin që zbatonte kontratën lidhur me fenomemin e infektimit të fëmijëve me bakterin salmonella në Gramsh, kryetari i kësaj bashkie ndër të tjera tha se … nuk e kishte idenë të thoshte emrin, por ishte një kompani që rezultoi fituese nga procedura e prokurimit … nuk mund të dinte kryetari i bashkisë sa është vlera e tenderit… dhe se ndonjë prind po shfrytëzonte rastin e fëmijës së tij për të bërë politikë….
E vërteta është që në zbatim të nenit 73 të VKM nr.281/2021 i ndryshuar për miratimin e rregullave të PP, në cilësinë e titullarit të AK , Kryetari i Bashkisë e di mirë vlerën e tenderit sepse ka firmosur Urdhërin e Prokurimit, miraton raportin pёrmbledhёs të procedurës së prokurimit dhe adresimin e çështjeve apo problematikave që mund të dalin nga ky raport, e di mirë se kush është kontraktori sepse ekziston një kontratë e nënshkruar për këtë qëllim në datën 12 Dhjetor 2023 ndërmjet Bashkisë Gramsh dhe kontraktorit ‘Nelsa shpk’ me objekt Blerje mallra ushqimore për plotësimin e nevojave të çerdheve, kopshteve dhe konviktit të shkollës së mesme me afat 24 muaj.
Kujtojmë se në vitin 2018, një tender i ngjashëm për blerje ushqimesh ka qenë shkaku i dënimit të formës së prerë nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda, për korrupsion në tenderat e zhvilluar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për ish drejtorine e burgjeve dhe të tjerë biznesmenë përfshirë kompaninë Nelsa shpk e cila në atë kohë kishte pronar babain e zonjës që mban pronësinë aktuale.
Edhe pse subjekt i dënimit nga gjykata, sipas spending data, dëshmohet se autoritetet kontraktore kanë kualifikuar dhe lidhur kontrata me këtë operator në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik neni për kriretet detyruese për skualifikim pika 1/b ( LPP Nr. 9643, datë 20.11.2006 i ndryshuar neni 45 pika 1/b, dhe LPP aktual nr.162, datë 23.12.2020 i ndryshuar, neni 76 pika 1/b) .
Sipas opencorporates.al, ky operator ka regjistruar 8.5 mil euro kontrata publike përfshirë edhe periudhën pas dënimit gjyqësor të formës së prerë.
Duke kujtuar Kryetarin Besjon Ajazi se mban përgjegjësi menaxheriale përfshirë edhe përdorimin e fondeve publike sipas nenit 8 dhe 9 të ligjit NR. 10296, DATË 8.7.2010, ‘Për menaxhimin financiar dhe kontrollin’ i ndryshuar, apelojmë organet ligjzbatuese të identifikojnë dhe penalizojnë përgjegjësit konkretë të kësaj ngjarjeje.
Fëmijët nuk mund të jenë të pasigurt…. shqiptarët nuk mund të jenë të pasigurt për papërgjegjshmërinë e shtetit.