Indeksimi i pensioneve, një proces i detyrueshëm ligjor që ndodh çdo vit për të kompensuar ndikimin e inflacionit te pensionistët, është ende në pritje, ndërsa afrohet data 1 tetor.
Eksperti i pensioneve Kujtim Hoxha, teksa ishte i ftuar në emisionin “Koha për t’u zgjuar” në News24, deklaroi se situata mbetet e paqartë për shkak të mungesës së një rishikimi të buxhetit nga qeveria e re.
“Pensionistët presin me të drejtë indeksimin, është një detyrim ligjor. Viti 2025 përkon me krijimin e qeverisë së re, e cila ka përfshirë pensionet në programin ekonomik, por deri tani nuk është bërë asnjë rishikim i buxhetit, që është i domosdoshëm për të reflektuar këtë indeksim”, tha Hoxha.
Ai theksoi se bëhet fjalë për një çështje që prek mbi 700 mijë pensionistë, ndërkohë që pensionet aktuale janë të ulëta dhe nuk mbulojnë rritjen reale të kostos së jetesës.
Sipas Hoxhës, të dhënat zyrtare të INSTAT për inflacionin nuk pasqyrojnë realitetin ekonomik me të cilin përballen pensionistët.
“INSTAT raporton një inflacion prej 3.4%, por kjo është për gjithë popullsinë. Për indeksimin e pensioneve duhet marrë për bazë një llogaritje specifike për shportën e konsumit të pensionistëve – që përfshin medikamente dhe produktet bazë të jetesës – dhe në këtë rast inflacioni është dukshëm më i lartë”, shtoi ai.
Sipas ekspertit, qeveria mund të vendosë të marrë si referencë shifrën e INSTAT, megjithëse ajo nuk reflekton realisht rritjen e çmimeve për pensionistët.
“Në dijeninë time, ndonëse jo zyrtare, parashikimi është që rritja do të jetë më pak se 3%. Kjo do të thotë se një pensionist që aktualisht merr rreth 190 mijë lekë të vjetra, mund të marrë një rritje prej vetëm 580 deri në 600 lekë të vjetra”.