Inceneratori i Tiranës/ SPAK kërkon 5 vite burg për Alqi Bllakon

Prokuroria e Posaçme, ka kërkuar 5 vite burg për Alqi Ballokin, ish- sekretar i ministrisë  së Mjedisit, i akuzuar për korrupsion pasiv për çështjen e inceneratorit të Tiranës.

Prokurori i çështjes, Dritan Prençi, kërkoi shpalljen e tij fajtor për korrupsion pasiv në dy raste të veçanta.

Nëse gjykata pranon kërkesën e SPAK dhe vendos dënimin me 5 vite burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar do të jetë 3.4 vite burg, ndërsa për 5 vite Bllako nuk do të mund të ushtrojë asnjë funksion publik.

Sipas hetimeve të SPAK, Bllako ka përfituar në mënyrë të tërthortë rreth 120 mijë euro nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, pronarët de facto të shoqërisë koncesionare të inceneratorit, për blerjen e një pajisjeje të përdorur në aktivitetin tregtar të babait të tij, një fabrikë birre në Ersekë.

Në dosje thuhet gjithashtu se Bllako i ka propozuar Vladimir Bezhanit të vijonte si këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, dhe të ofronte konsulencë juridike gjatë periudhës kur po përgatitej procedura e dhënies së koncesionit.

Për këtë shërbim, Bllako akuzohet se i ka kërkuar Klodian Zotos që ta punësonte fiktivisht Bezhanin, duke i siguruar një pagë prej 7.5 milionë lekësh të reja.

Sipas SPAK, gjatë kohës që Bezhani ishte këshilltar i ministrit Koka, ai ka mbajtur kontakte me Klodian Zoton sipas udhëzimeve të Alqi Bllakos, duke i transmetuar informacione të marra nga Autoriteti Kontraktor.