Inceneratori i Tiranës nën sekuestro, Basha: SPAK e di mirë që peshku qelbet nga koka!

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar për vendimin e Gjykatës së Posaçme për të sekuestruar inceneratorin e Tiranës.

Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Basha thotë se ky ishte një hap i nevojshëm për zbardhjen e këtij skandali.

Ai shpreh mbështetjen e tij dhe inkurajon institucionet e drejtësisë të veprojnë ndaj aferave korruptive, që po shkatërrojnë mirëqenien e shqiptarëve.

Reagimi i plotë.

Përshëndes vendosmërinë e SPAK për hetimin e thelluar të aferës së shekullit, e cila u kushton takaspaguesve shqiptarë më shumë se 430 milionë euro.

Sekuestrimi i inceneratorit fantazëm të Tiranës është një hap i duhur për zbardhjen e këtij megaskandali korruptiv.

Shpreh mbështetjen e plotë dhe inkurajoj institucionet e drejtësisë të veprojnë pa asnjë hezitim kundër korrupsionit në nivelet e larta, kësaj gangrene që shkatërron vendet e punës dhe mirëqenien e shqiptarëve.

Qytetarët shqiptarë presin dhe meritojnë drejtësi, ata e dinë mirë që peshku qelbet nga koka!

Gjykata e Posaçme vendosi sot sekuestron për inceneratorin e Tiranës, duke vënë në dukje se Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët “de facto” dhe anë udhëzuar dhe kanë marrë vendimet në lidhje me shoqërinë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k. dhe “Geogenix B.V.”, që përkon nga momenti i themelimit të këtyre shoqërive e në vijimësi.


Shtuar 1.08.2023 12:50