“Inatet” e Kurtit dalin në Luginë, çfarë problemi ka Qeveria me kryetarin e Preshevës

Vartësit e Kurtit, që ishin dje në Luginë, nuk e takuan kryetarin e Preshevës. Shqipërim Arifi thotë se ky injorim “i paprecedent” u bë për shkak të inateve që i ka Qeveria Kurti me të. Disa nga ato që kryetari i Preshevës i tha dje publikisht, ia kishte shkruar në letër Kryeministrit Kurti para disa muajve, ku i kërkonte takim. Kurti edhe atëherë e kishte injoruar.

Dy përfaqësuesit e Qeverisë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e vizituan dje Luginën. Por, vizita ishte selektive. Ata nuk shkuan në Komunën e Preshevës dhe, sipas kryetarit Arifi, ky anashkalim i qëllimshëm ka një histori më të gjatë.

Arifi tha dje në “Frontal” të T7 se inatet e Qeverisë Kurti, të cilat, sipas tij, i nxit Liburn Aliu, janë shfaqur kur ai po bëhej kryetar i Preshevës, duke e rrëzuar ish-kryetaren Ardita Sinanin.

“Është inat personal për shkak të ndërrimit të pushtetit lokal këtë vit. Liburn Aliu dhe Qeveria e Kosovës publikisht kanë dashur të ndërhyjnë në proceset demokratike në komunën e Preshevës. Edhe kjo është pa precedent. Kjo është hera e parë që një Qeveri ndërhyn në këto procese”, tha kryetari i Preshevës.

Për të njëjtën çështje, ai i kishte dërguar letër në qershor të këtij viti Kryeministrit Albin Kurti.

“Pa dashur ta ekzagjëroj, mirëpo në procesin demokratike – politik të ndryshimit të pushtetit lokal në Preshevë, pozicionimi i juaj dhe i Qeverisë së Kosovës në muajin prill, ka qenë i paprecedent që nga formimi i Republikës së Kosovës dhe ka irrituar tejmase qytetarët e Luginës së Preshevës”i kishte shkruar Arifi Kurtit, në qershor.

Ankesat e Arifit janë se Qeveria Kurti po e trajton në mënyrë selektive Luginën dhe kjo, sipas tij, u dëshmua me takimet që i zgjodhën t’i bëjnë dy përfaqësuesit qeveritarë në Luginë.

Kryetari i Preshevës tha se nuk ka pasur kërkesë për t’u takuar me të, ndërsa ai vetë ka bërë disa kërkesa që të takohet me Kryeministrin Albin Kurti. Në letrën e qershorit ai flet për një kërkesë, për të cilën nuk ka marrë përgjigje.

“Dua të ju rikujtoj muajin prill të vitit 2021, ku ju jemi drejtuar zyrtarisht për takim, për të cilin nuk kemi marrë përgjigje askohe dhe për të cilin nuk e di a keni qenë i njoftuar”, ka shkruar kryetari i Preshevës në letër.

Arifi, me këtë letër, i kishte kërkuar një takim tjetër “urgjent” Kurtit dhe kishte rënditur disa pika për të cilat kërkonte të flisnin, e që lidheshin me pozitën e Luginës së Preshevës në dialogun me Serbinë. Me aq sa dihet publikisht, ky takim nuk është realizuar.

Ndër të tjera, Arifi akuzon Qeverinë Kurti se nga inatet që kanë me të, nuk po i ekzekutojnë mjetet e ndara për Luginën. Ai ka dyshime se pse pushteti në Kosovë, sipas tij, nuk do të bashkëpunojë me të si kryetar.

“Jo vetëm që po ngjan, por ashiqare nuk po i dërgojnë 2 milionë eurot, për të cilat mendoj se kanë dashur t’i avullojnë një pjesë të madhe në drejtim të Liburn Aliut dhe Vetëvendosjes”, ka thënë kryetari i Preshevës.

Edhe në letrën e dërguar në qërshor Kurtit, Arifi kërkon që në një takim urgjent, të diskutohet ndër të tjera për ndarjen e këtyre dy milionëve. Dje në “Frontal”, kryetari i Preshevës u ankua se këto mjete edhe më tutje nuk janë ekzekutuar.

“Në dialog, në Bruksel, e shohim se Qeveria e Kosovës nuk po di qartazi ta luajë lojën mirë, ashtu sic po e bën Serbia me serbët e Kosovës. I faktorizon ata. I bën minoritet të vuajtur brenda Kosovës, por ata i kanë privilegjet më të larta si minoritet në rajon”, ka thënë ai.

Kryetari i Preshevës, që dukej i nervozuar me veprimet e Qeverisë Kurti, i tha dje haptas kritikat, akuzat që i ka për pushtetin e Kurtit.

“Për mua, është çështje, thjesht, prej perspektives së Preshevës, si përfaqësues i shqiptarëve, mos me leju me ma nënçmu popullin, mos me leju me ma shkel. Mos me leju me m’u shitë mu patriotë në foto, nëpër vendet tona; me na mashtru shqiptarëve në vazhdimësi me patriotizëm falso”, ka thënë ai.

Sipas tij, në përpjekje pë të treguar patriotizëm, zyrtarët qeveritarë po bënin fotografi në shkollat e Luginës, derisa shkollat në Kosovë janë të mbyllura, për shkak të grevës.

“Më vjen keq sa larg ka shkuar Qeveria e Kosovës, në një nivel kaq të ulët, me u duk kinse patriotë. Me ardhë këtu me u fotografu nëpër shkollat tona, a atje i kanë shkollat e tyre i kanë të mbyllura”.

Arifi ka thënë se qasja e Vetëvendosjes ndaj Luginës dhe ndaj Preshevës specifikisht është jokonstruktive.

“Të Vetëvendosjes po reagojnë pak si të nxitur edhe pak si të verbër. Unë do të thoja që të bëhet një debat i brendshëm brenda VV-së dhe me votu se cka duan të bëjnë në Luginë të Preshevës, kur ne kalojmë në një situatë të pasivizimit, të diskriminim, të probleme të tjera të shumta ekonomike dhe shoqërore. Dhe, këta vinë me një këso qasje që akoma më shumë e rëndon situatën”, ka thënë Arifi.

Shqipërim Arifi u zgjodh kryetar i Preshevës në prill të këtij viti, pasi partia e tij “Alternativa për Ndryshim” mblodhi nënshkrimet dhe rrëzoi Ardita Sinanin në Kuvendin komunal.

Para rrëzimit të Sinanit, Qeveria e Kosovës kishte ftuar në takim të gjithë përfaqësuesit politikë të Luginës, por Arifi s’kishte marrë pjesë, pasi sipas tij, po tentohej t’i bëhej “avokati” kundërshtares së tij në Preshevë. /Express/