Imuniteti i Ballukut mbetet “pezull”, anëtarët e PD në Këshillin e Mandateve kërkesë Peleshit: Të mblidhemi për shqyrtim më 26 dhjetor

Anëtarët e Partisë Demokratike në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin i kanë kërkuar Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, thirrjen e mbledhjes së Këshillit për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për imunitetin e Belinda Ballukut, e pandehur për shkelje të barazisë në tendera.

Në shkresë ata kërkojnë që mbledhja të zhvillohet ditën e premte, më 26 dhjetor, në orën 11:00.

Demokratët argumentojnë se më shumë se një javë nga mbledhja e mëparshme, që u shty pa datë, është e pamjaftueshme që palët të njihen me aktet dhe të përgatiten për argumentet dhe mbrojtjen.

Po ashtu, ata vënë theksin edhe te kërkesa e Prokurorisë që çështja të shqyrtohet brenda 5 ditëve, për shkak të rrezikshmërisë së zëvendës kryeministres për të prishur prova apo intimiduar dëshmitarë.

“Duke mbajtur në konsideratë shënimin e Prokurorisë së Posaçme në kërkesë dhe gjatë mbledhjes së datës 19 Dhjetor 2025, ku nënvizohet se znj. Belinda Balluku është konstatuar me metoda speciale hetimi se po intimidon dëshmitarë/prish prova;

Duke mbajtur në konsideratë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme që çështja të shqyrtohet nga Këshilli brenda 3-5 ditë nga mbledhja e datës 19 Dhjetor 2025, për shkak të natyrës së ngutshme që ka kërkesa dhe nevojës për moscenimin e hetimeve”, thuhet në kërkesën e demokratëve, duke kërkuar që mbledhja të mbahet më 26 dhjetor.

Kujtojmë që mbledhja e kaluar u shty pa datë ndërsa anëtarët demokratë akuzuan socialistët se po tentojnë të shtyjnë imunitetin e Ballukut.

Shkresa e plotë:

Z. Kryetar i Kuvendit,

Sipas nenit 13 të Rregullores së Kuvendit, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, shqyrton kërkesën e prokurorisë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin, ose heqjen e lirisë në çfarëdolloj forme, ose ushtrimin e kontrollit personal apo të banesës së një deputeti në përputhje me nenin 73 të Kushtetutës, sipas procedurës së parashikuar në nenet 118 dhe 119 të Rregullores. Pika 6, e nenit 13 përcakton shprehimisht: “Këshilli mblidhet me kërkesën e Kryetarit të Kuvendit ose 1/2 së anëtarëve. Rendi i ditës caktohet nga Kryetari. Mbledhja është e vlefshme kur janë të pranishëm jo më pak se 5 anëtarë.”.

Me shkresën nr. 13019 Prot., datë 16.12.2025, Prokuroria e Posacme ka kërkuar dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Zëvendëskryeministrit Ministrit, znj. Belinda Balluku. Më kërkesën e Kryetarit të Kuvendit, Këshilli u mblodh për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme më datë 19 Dhjetor 2025, ora 10.30 min. Kryetari i Kuvendit në mënyrë të njëanëshme, pa vendim të Këshillit, vendosi të ndërpresë mbledhjen, pa caktuar një mbledhje tjetër, me qëllim sipas tij që anëtarët e Këshillit dhe palët të njihen me dokumentet shoqëruese të kërkesës së Prokurorisë.

Në këto kushte, në mbështetje të nenit 13, pika 6, dhe nenit 118 të Rregullores së Kuvendit, Ne. 1/2 e anëtarëve të Këshillit:

Duke e konsideruar periudhën më shumë se 1 javë si të mjaftueshme për palët që të njihen me aktet dhe të përgatiten për praqitjen e agumenteve/mbrojtjen, bazuar edhe në precedentin parlamentar të dy rasteve të fundit të marra në shqyrtim nga Këshilli, ku afati në dispozicion të palëve ka qenë 48-72 orë:

Duke mbajtur në konsideratë shënimin e Prokurorisë së Posaçme në kërkesë dhe gjatë mbledhjes së datës 19 Dhjetor 2025, ku nënvizohet se znj. Belinda Balluku është konstatuar me metoda speciale hetimi se po intimidon dëshmitarë/prish prova;

Duke mbajtur në konsideratë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme që çështja të shqyrtohet nga Këshilli brenda 3-5 ditë nga mbledhja e datës 19 Dhjetor 2025, për shkak të natyrës së ngutshme që ka kërkesa dhe nevojës për moscenimin e hetimeve;

Me qëllim që Këshilli dhe Kuvendi të mos bëhen pengesë për drejtësinë dhe për hetimin e cështjeve nga Prokuroria e Posacme;

KËRKOJMË:

1. Mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ditën e premte, datë 26 Dhjetor 2025, ora 11.00, me Rend Dite: “Vijimi i shqyrtimit të kërkesës nr. 13019 Prot., datë 16.12.2025, me anë të së cilës Prokuroria e Posacme ka kërkuar dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit – Zëvendëskryeministrit -Ministrit, znj. Belinda Balluku.”.

2. Njoftimin e datës dhe orës së mbledhjes, si dhe Rendin e Ditës anëtarëve të tjerë të Këshillit, përfaqësuesve të Prokurorisë së Posacme, si dhe deputetes Belinda Balluku dhe përfaqësuesit të saj ligjor, me qëllim që të ushtrojë të drejtën e saj të mbrojtjes përpara Këshillit.

Sjellim në vëmendjen tuaj z. Kryetar i Kuvendit, që thirrja e mbledhjes së Këshillit me kërkesë të 1/2 së anëtarëve është e detyrueshme sipas Rregullores, sepse Këshilli thirret në dy forma sipas pikës 6. të nenit 13 të Rregullores së Kuvendit: (1) me kërkesë të Kryetarit të Kuvendit; (2) me kërkesë të 1/2 së anëtarëve të Këshillit. Nëse thirret nga 1/2 e anëtarëve të Këshillit, Kryetari i Kuvendit ka detyrimin të njoftojë Rendin e Ditës për anëtarët e tjerë dhe palët që mund të jenë thirrur në proces. Për këtë arsye, përmbushni detyrimin tuaj ligjor dhe mos u bëni pengesë për drejtësinë.

ANËTARËT E KËSHILLIT PËR RREGULLOREN, MANDATET DHE IMUNITETIN:

GAZMENT BARDHI

OERD BYLYKBASHI

ELDA HOTI

GENT STRAZIMIRI

SAIMIR KORRESHI


Shtuar 24.12.2025 14:38