Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka dhënë një deklaratë të fortë drejtuar anëtarëve të Grupeve të Numërimit të Votave dhe të KZAZ-ve, duke i falënderuar për angazhimin dhe profesionalizmin në përmbushjen e detyrës, por njëherazi edhe duke i paralajmëruar për respektimin e rreptë të ligjit zgjedhor.
Në mesazhin e tij, Celibashi thekson se çdo cënim i votës së kandidatëve në listat “e hapura” përbën një shkelje të rëndë të integritetit zgjedhor dhe do të pasohet me masa ligjore serioze ndaj përgjegjësve.
“Rikujtojmë se është rreptësisht e ndaluar të bëhet rivlerësim i votave për partitë apo koalicionet, tani që ka filluar procesi i numërimit dhe i vlerësimit të votave për kandidatët në listën e hapur”, deklaron Celibashi.
Ai thekson se ligji është i qartë: Fletët e votimit ku është shprehur vota vetëm për partinë apo koalicionin, duhet të ruhen në një zarf të veçantë dhe nuk i nënshtrohen rivlerësimit gjatë numërimit për kandidatët.
Celibashi e konsideron çdo shkelje të këtij rregulli si tentativë për manipulim të rezultatit zgjedhor, që do të trajtohet me masa të rënda ligjore.
Ai gjithashtu kujton se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, disponon filmimet e procesit të numërimit dhe vlerësimit të votave për partitë dhe koalicionet në të gjitha KZAZ-të, ç`ka do të shërbejë si provë në rastet e dyshimeve për manipulime apo abuzime.
Postimi i plotë:
Për anëtarët e grupeve të numërimit dhe të KZAZ-ve
Duke falënderuar të gjithë anëtarët e Grupeve të Numërimit të Votave dhe të KZAZ-ve që po e kryejnë detyrën me profesionalizëm, në përputhje me ligjin dhe udhëzimet e KQZ-së, dëshirojmë të sjellim në vëmendje të të gjithëve:
Cënimi i votës së çdo kandidati në listën “e hapur” përbën një shkelje të rëndë të integriteti zgjedhor e që sjell pasoja ligjore serioze për përgjegjësit.
Në këtë kuadër, rikujtojmë se është e ndaluar të bëhet një rivlerësim i votave për partitë politike apo koalicionet, tani që ka filluar procesi i numërimit dhe i vlerësimit të votave për kandidatët në listën “e hapur”.
Ligji përcakton qartë se, fletët e votimit, në të cilat vota është shprehur vetëm për partinë apo koalicionin, ruhen në një zarf të veçantë dhe nuk i nënshtrohen rivlerësimit gjatë procesit të numërimit dhe të vlerësimit të votave për kandidatët.
Çdo shkelje e këtij rregulli do të konsiderohet si tentativë për të manipuluar rezultatin zgjedhor dhe do të ndiqet me masa të rrepta ligjore.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve disponon filmimet e procesit të numërimit dhe vlerësimit të votave për partitë dhe koalicionet për të gjitha KZAZ.
Ilirjan Celibashi
Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve