Ilir Meta: Më 12 maj, Shqipëria Madhështore realitet i pakthyeshëm

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka shpërndarë një mesazh audio për qytetarët, duke theksuar angazhimin e tij për një Shqipëri ndryshe, më të mirë.

Ai ka premtuar se me programin e Partisë së Lirisë, do të çlirohet vendi nga taksat e larta dhe do të hidhet në “koshin e plehrave” modeli aktual i “narko-ekonomisë”.

Meta ka kritikuar qeverinë aktuale dhe ka përmendur premtimin për rritjen e pensioneve, duke theksuar se ai do të bëjë të mundur që pensioni minimal të arrijë 200 euro, ndërsa sipas tij, premtimet e kryeministrit Rama për një rritje të tillë janë të parashikuara vetëm për vitin 2030.

Në mesazhin e tij, Meta ka theksuar se shqiptarët do të votojnë me mençuri, për familjet e tyre dhe për një “Shqipëri Madhështore”, duke kundërshtuar gjithashtu politikën e “Ballkanit të hapur”, që sipas tij ka çuar në falimentimin e vendit.

Ai është i bindur se kjo ndarje nga “narko-shteti” do të ndodhë më 12 maj, duke shfaqur besim të thellë në humbjen e pashmangshme të qeverisë aktuale, që, sipas tij, ka ardhur në pushtet me para të krimit.

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta audio-mesazh për qytetarët: Programi i PL është programi që do çlirojë vendin nga taksat. Do të hedhim në koshin e plehrave modelin e narko-ekonomisë. Ne do të bëjmë pensionin minimal 200 euro, ndërsa me premtimet e Ramës, pensionet mund të bëhen minimalisht 200 euro më 2030. Shqiptarët me mençuri do të votojnë për familjet e tyre, për Shqipërinë madhështore, kundër Ballkanit të hapur që i falimentoi. Edhe 2 javë kemi nga ndarja e narko-shtetit. Rama është në panik nga humbja e pashmangshme, e një qeverie që ka ardhur me para krimi. Shqipëria Madhështore do jetë realitet më 12 maj.


Shtuar 27.04.2025 15:47