Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka rekomanduar dy ilaçe të reja për trajtimin e pacientëve me sëmundjen COVID-19.
Ilaçi baricitinib (një lloj i ilaçit sikurse frenuesi Janus kinase [JAK] që përdoret për trajtimin e artritit reumatoid), sipas OBSH-së, rekomandohet të përdoret te pacientët e sëmurë rëndë dhe ata kritikë, në kombinim me kortikosteroidet, që janë ilaçe të fuqishme kundër inflamacioneve dhe forcojnë përgjigjen imunitare.
OBSH-ja tha se ky rekomandim bazohet në të dhënat që sugjerojnë se përmirëson shanset e mbijetesës dhe zvogëlon nevojën që pacientët të futen në ventilator dhe nuk është gjetur se shkakton efekte anësore.
Ekspertët e OBSH-së thanë se baricitinib ka efekte të ngjashme sikurse ilaçet e tjera për artritin, frenuesit e IL-6 (ilaçe anti-inflamatore), prandaj nëse këto dy ilaçe janë në dispozicion, kjo organizatë rekomandon që pacientët të zgjedhin njërën nga to “në bazë të kostos, disponueshmërisë dhe rekomandimit të mjekut”. Megjithatë, nuk rekomandohet që këto dy ilaçe të merren në të njëjtën kohë.
Rekomandimi i përdorimit të këtyre ilaçeve është bërë nga të dhënat e reja nga shtatë studime, ku janë përfshirë 4,000 pacientë me COVID-19 me infeksione të lehta, të rënda dhe kritike.
Në përditësimin e udhëzimeve për trajtimin e COVID-19, ekspertët e OBSH-së kanë rekomanduar kundër përdorimit të dy ilaçeve ruxolitinib dhe tofacitinib për pacientët me COVID-19 të sëmurë rëndë apo në gjendje kritike, pasi në studime nuk është gjetur se pacientët mund të kenë përfitime nga to dhe ka rrezik për efekte të rënda anësore.
Gjithashtu, në këtë udhëzues të ri, OBSH-ja ka bërë një rekomandim të kushtëzuar të përdorimit të antitrupit monoklonal sotrovimab në pacientët që nuk kanë zhvilluar sëmundje të rëndë nga koronavirusi dhe ky lloj trajtimi mund të përdoret vetëm te personat që kanë rrezik të lartë të hospitalizimit, pasi siç tha OBSH-ja, pacientët që nuk janë në gjendje të rëndë nuk kanë përfitime të mëdha nga ky trajtim.
Një rekomandim i ngjashëm është bërë edhe për ilaçin tjetër të antitrupave monoklonale (casirivimab-imdevimab), pasi ekspertët vlerësuan se nuk ka ende të dhëna për të rekomanduar këtë lloj trajtimi dhe “efektiviteti i tyre kundër varianteve të reja, siç është Omicron, është ende i paqartë”.
Ilaçet e rekomanduara sot i shtohen listës së trajtimit për COVID-19 ku përfshihet përdorimi i receptorëve bllokues dhe kortikosteroideve me veprim sistematik për pacientët e sëmurë rëndë dhe ata kritikë. Po ashtu, OBSH-ja më herët ka bërë rekomandim për përdorimin e kushtëzuar të trajtimit me antitrupa monoklonale casirivimab-imdevimab në pacientë të caktuar.
Që prej shpërthimit të pandemisë në fund të vitit 2019, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins në mbarë botën janë regjistruar mbi 319 milionë raste dhe mbi 5.5 milionë të vdekur./REL