Policia ka arrestuar administratorin dhe farmaicisten në Tiranë, pasi dyshohet se tregtonin ilaçe të kontrabanduara pa pullë fiskale. Në pranga kanë rënë, Ermir Haxhiaj 44 vjeç administrator i farmacisë dhe Geriana Bendaj 27 vjeç, farmaciste.
Njoftim policie
Finalizohet me sukses nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, operacioni policor i koduar “Medicaments”.
Mbanin në farmaci medikamente mjekësore të dyshuara të kontrabanduara, vihen në pranga administratori dhe farmacistja.
Sekuestrohen medikamentet e ndryshme mjekësore, të dyshuara të kontrabanduara.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra të ndryshme, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, se një shtetas mbante në farmacinë që administronte, sasi të konsiderueshme medikamentesh mjekësore, të dyshuara të kontrabanduara, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Medicaments”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:
– E. H., 44 vjeç, administrator farmacisë dhe G. B., 27 vjeçe, me profesion farmaciste, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjerë”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja apo depozitimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale.
Gjatë kontrollit të ushtruar në farmacinë në administrim të shtetasit E. H. dhe me farmaciste shtetasen G. B., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, sasi të konsiderueshme medikamentesh mjekësore, pa pullë fiskale nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.