IKMT merr vendimin për ta hedhur ne erë “Prestige Resort”, Rama: S’ka më tolerime

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit në bashkëpunim me forcat e Policisë së Shtetit dhe forcat xheniere, ka planifikuar të prishë sot me shpërthim të kontrolluar një objekt 7 katësh në vijën bregdetare të Kavajës, “Prestige Resort”.

Në lidhje me këtë vendim, Rama është shprehur se janë ndjekur të gjitha procedurat ligjore dhe të gjitha hapat nga institucionet përkatëse.

Në një bashkëbisedim me qytetarët dhe gazetarët në Facebook, Rama tha ky është vetëm fillimi dhe se qeveria do të vazhdojë operacionin kundër ndërtimeve pa leje.

“Të gjithë të barabartë përpara ligjit, nuk do të ketë asnjë tolerim”, u shpreh kryeministri.

“Ju siguroj që ligjërisht janë ndjekur të gjitha hapat nga institucionet. Është operacion për ti dhënë fund një herë e përgjithmonë një mendësi që është ngushtuar, por nuk është asgjësuar plotësisht. Individ të caktuar i motivon të abuzojnë me të drejta të caktuara. Po flasim për fitime të mëdha. Në këtë operacion janë marrë deri më tani 15 vendime konfiskimesh. Ligji është i qartë, mjafton të lexohet ai ligj. Do vazhdoje deri në fund, sepse nuk mbaron këtu, për rastin në fjalë. Do të ketë edhe shembje të tjera për të cilat ka proceduar. Asnjë individ cilido qoftë nuk do të tolerohet. Bujrum urdhëroni, denonconi nëse ka raste tjera. Kontrolli për lejet e ndërtimi do të bëhet në mënyrë periodike, jo më pak se 60 ditë. Ligji është i barabartë për të gjithë”, tha Rama.