“Ike, mami im, do të më mungosh shumë. E di që do të na shohësh atje lart, por Dinos, unë dhe Asimina të duam shumë. Je përgjithmonë në jetën tonë”. Janë këto fjalët e Katerina Nakolecit, vajzës së madhe të çiftit Pandeli dhe Mariola Nakoleci, e cila nëpërmjet një postimi në rrjete sociale ka shprehur dhimbjen e pafund pas ndarjes tragjike nga jeta të nënës së saj.
36-vjeçarja Mariola Nakoleci u vra mëngjesin e djeshëm në Volos nga bashkëshorti i saj, duke tronditur familjarët dhe komunitetin lokal. Ngjarja e rëndë ndodhi në sy të katër fëmijëve të çiftit.
Autoritetet greke janë duke kërkuar intensivisht 40-vjeçarin Pandeli Nakoleci, i cili ende nuk është lokalizuar. Mediat greke raportojnë se ekziston mundësia që autori i vrasjes së gruas së tij të ketë kryer vetëvrasje pas aktit të tmerrshëm.
Policia gjithashtu njofton se autori kishte një histori të rëndë psikiatrike. Në qershor 2025, ai kishte tentuar vetëvrasjen, duke çuar në shtrimin e tij në një klinikë psikiatrike. Ndërkohë, familjarët dhe komuniteti në Volos mbeten të tronditur nga kjo ngjarje tragjike.