IGJEUM: Më 17-18 nëntor, shtrëngata shiu dhe rrezik për përmbytje në Shkodër, Lezhë dhe Vlorë

Instituti i Gjeoshkencave njofton se nesër (e hënë, dt. 17) priten reshje mesatare deri lokalisht intensive në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Vlorë, ndërsa në qarqet Kukës, Dibër, Durrës, Tiranë dhe Gjirokastër priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare të shoqëruara me shtrëngata. Në qarqet e tjera priten reshje të dobëta.
Shumica e reshjeve priten prej pasdites së nesërme. Instituti i Gjeoshkencave paralajmëron se shtrëngatat dhe intensiteti i lartë i reshjeve mund të krijojnë probleme të ndryshme, si dhe vërshime të ujit në zonat urbane, në varësi të sistemit të kanalizimeve në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Vlorë.

Shoqëria Ujësjellës Kanalizime Vlorë (UKV) duke iu referuar njoftimit të Qendrës Kombëtare për Parashikimin dhe Monitorimin e Rreziqeve Natyrore, bën me dije se ditën e hënë, datë 17 nëntor dhe ditën e martë, më datë 18 nëntor, qyteti i Vlorës parashikohet të përfshihet nga reshje shiu mesatare deri lokalisht intesive.

Ndaj UKV u kërkon qytetarëve të tregohen vigjilentë për çdo situatë dhe të respektojnë thirrjet dhe këshillat e autoriteteve.

Gjithashtu qytetarëve u kërkohet të shmangin parkimin e automjeteve në zonat me risk të lartë.

UKV garanton se grupet e punës do të jenë të angazhuara në marrjen e masave paraprake, si dhe do të jenë në terren në monitorimin e situatës duke ndërhyrë sipas rastit nëse do të jetë e nevojshme.


Shtuar 16.11.2025 18:43