Pas përplasjes fizike në “Big Brother VIP Albania”, ku Jozi goditi me shuplakë Gjestin – një situatë që u përfol gjerësisht në rrjet si përplasje “mes Shqipërisë dhe Kosovës” – ka reaguar edhe kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi.
Në këtë klimë tensioni të panevojshëm, Idrizi, ka reaguar gjatë një takimi me Shoqatën “Çamëria” në selinë e partisë së tij. Ai e konsideroi këtë valë përçarjeje si një shembull tipik të manipulimit të ndjeshmërive kombëtare për qëllime të ulëta, duke thënë se po shihte një zhurmë të madhe në rrjetet sociale, një përçarje të panevojshme, vetëm sepse një nga Shqipëria goditi një nga Kosova.
Më tej, ai theksoi se rrjetet sociale ishin mbushur me “idiotë të dobishëm që, ndoshta pa vetëdije, i shërbejnë interesave dashakeqe të Athinës dhe Beogradit.” Për Idrizin, rasti nuk është veçse një ngjarje banale televizive që nuk duhet të ketë asnjë ngarkesë kombëtare.
Duke theksuar rëndësinë e unitetit kombëtar përballë provokimeve të kota, Idrizi përmbylli deklaratën e tij me fjalë që u duartrokitën: “Sebepi më i vogël për të nxitur diferencat… Ato që na bashkojnë nuk janë të mëdha – janë gjithçka.” Një mesazh i qartë për të mos rënë pre e manipulimeve virtuale dhe për të mos lejuar që spektakli të zëvendësojë vëllazërinë.