Idrizi i përgjigjet kontestimit për numëruesin e katërt: Në 2017-ën PD e PS ishin në bashkëqeverisje

PDIU është ndalur në qarkun e Fierit ku takoi elektoratin në kuadër të zgjedhjeve lokale të 14 majit e ku shpalosi me kandidatët për këshilltarë bashkiakë në këtë qark disa nga prioritetet për Fierin, Patosin, Lushnjen, Roskovecin, Divjakën, Mallakastrën dhe Ballshin.

Duke mos iu shmangur debatit politik në vend, kreu i PDIU-së, Z. Shpëtim Idrizi, nga Fieri ka komentuar çështjen e numëruesit të katërt që edhe më herët ka përplasur Partinë e Lirisë dhe PDIU-në në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Pas kontestimit, Idrizi ka këtë përgjigje:

“Dëgjova se LSI kishte bërë prapë një kontestim në Kolegjin Zgjedhor për punën e numëruesit. E kishin të paqartë se ku ka qenë PDIU në vitin 2017. Meqë nuk e kujtojnë ata, po ua rikujtoj unë. Në zgjedhjet e vitit 2017 ne pamë Partinë Demokratike me Partinë Socialiste që bënë një qerveri të përbashkët dhe PD mori gjashtë ministra. Ndërkohë LSI merrte Presidencën. Të vetmit që ishin në opozitë ishte Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet. Dhe kjo është përgjigjja që unë kam për ta. Ju ishit në bashkëqeverisje PD-PS, LSI mori Presidentin, kurse PDIU-ja ishte dhe do të mbetet në opozitë me këdo që kërkon të sillet në këtë mënyrë”.

Nga Fieri, Idrizi ka theksuar edhe potencialin ekonomik të Qarkut të Fierit, i cili deri më tani nuk është shfrytëzuar sa duhet.

“Kur flitet për qytetin, flitet për pallatet, shtëpitë, kanalizimet ujësjellësin. Fieri është tjetër gjë, është një vend ku duhet integruar e gjithë ekonomia e këtij qarku. Ne dimë që kemi industri të naftës. Është qyteti që gjatë gjithë kohës ka pasur industri shumë të zhvilluar. Po kur po përmendja diku këtë gjë më thotë njëri “e për cfarë na u desh ndonjëherë nafta ne”? Në fakt, kishte të drejtë. Në një vend pasuri kaq të mëdha, llogarit që ne eksportojmë1.5 milionë tonë në vit dhe importojmë 0.6 milionë. Por nga krahu tjetër nuk po flas vetëm për Fierin, Shqipëria ka sot 2.6 milionë banorë, rreth 1.3 milionë janë jashtë, janë emigrantë. Ata kthejnë çdo vit në Shqipëri rreth 800 milionë euro deri në 1 miliardë. Është e pakuptueshme, sidomos në Fier, se si Shqipëria sot importon 1.5 miliardë euro çdo vit mallra ushqimore, fruta, zarzavate, domate, speca. Imagjinoni miqtë e mi? Eksportojmë 1.3 milion shqiptarë dhe importojmë me paratë që na sjellin ata, riblejmë prapë jashtë 1.5 miliardë euro në vit ushqime. Ku? Në një vend që e ka bekuar Zoti siç është Shqipëria dhe kjo është arsyeja pse ne duhet mendojmë për Shqipërinë që prodhon dhe ky është rasti i qarkut të Fierit”, tha Idrizi.

Edhe kryetari i PDIU-së në Fier, njëkohësisht edhe deputet në Parlamentin shqiptar, Nustret Avdulla e vuri theksin në njësitë ekonomike që mund ta zhvillojnë edhe më shumë qarkun e Fierit.

“Ndjej keqardhje kur e shoh Fierin në këtë gjendje, krahasuar me potencialet që ka ky qytet për të ecur më përpara. Ju kujtoj se krahas bujqësisë nëntoka e këtij qarku ka mbajtur për vite me radhë gati 150 mijë njerëz të punësuar në të. Po cfarë u bë me ta? Glabërimi i sektorëve strategjikë në koorporata dhe mbyllja e rafinerisë shkaktuan një kaos të vërtetë. Ku janë këta njerëz sot? Disa me një pension minimal, të tjeret kanë marr rrugët e botës dhe mbi të gjitha po humbet kualifikimi i arritur me shumë mund ndër vite. Dhe sot e kësaj dite shesim produktet tona më jetike. Naftëen bruto e falim dhe e marrim me një çmim shumë të shtrenjtë. I përmenda këto elementë për t’ju kujtuar në radhë të parë kandidatëve për kryetarë bashkie por edhe kandidatëve për anëtarë të këshillit bashkiak që prioriteti i tyre në 4 vite në parlamentin e qytetit tonë të jetë ekonomia”.

Edhe Ylvi Sylejmani, i pari në listën për këshilltarë në qarkun e Fierit e vuri theksin te elementet që mund të ndalojnë plagën e shoqërisë, atë të largimit të të rinjve.

“Fieri meriton më shumë rrugë, investime, mbështetje sociale, transparencë në shpenzimet e taksave tona. Ne kemi nevojë për mundësi punësimi dhe alternativa për të rinjtë, që rinia jonë të mos iki”, tha ai.

I pranishëm në takimin me elektoratin në Fier, ishte edhe deputeti tjetër i PDIU-së në Parlamentin Shqiptar, Gëzim Ademaj që theksoi çështja çame do të vazhdojë të jetë një nga prioritetet kryesore të PDIU-së, ndonëse shqiptarët e Çamërsië tanimë i gjen në listat e gjithë partive të tjera që në fokus as që e kanë çështjen çame.

Thirrjes për të punuar me moton “Veç një Atdhe” iu bashkuan edhe Brunilda Çami kandidate për këshilltare në bashkinë e Fierit, Zihni Musai si kandidat për këshilltar në Bashkinë e Patosit, Fiorentina Nurçe, nga lista e PDIU-së në bashkinë Lushnje si edhe kryetari Shoqatës Patriotike “Çamëria” dega Fier Ali Aliu.


Shtuar 30.04.2023 11:13

Tags: ,