Si rezultat i hetimeve të kryera mbi disa denoncime për vjedhje në banesa dhe biznese, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Komisariatin Nr. 2 në Tiranë, kanë mundësuar zbardhjen e autorësisë së katër rasteve.
Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë:
E. D., 20-vjeç, i dyshuar për përfshirje në vjedhjen e një banese dhe dy lokaleve gjatë periudhës maj-qershor;
A. K., 33-vjeç, i cili dyshohet se ka vjedhur një shumë parash ditën e djeshme në një banesë në fshatin Arbanë.
Ndërkohë, është shpallur në kërkim shtetasi E. G., 21-vjeç, bashkëpunëtor i dyshuar në rastet e vjedhjeve me E. D.
Policia vijon punën për kapjen e 21-vjeçarit të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e rasteve të tjera të mundshme ku këta shtetas mund të jenë të përfshirë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme ligjore.