Pas përplasjes së fundit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Paskal Milo thotë se mes shqiptarësh “do të kemi më shumë diplomaci sesa bashkëpunim vëllazëror”.
Milo i tha Gazetës Express se beson që ideja e Ramës për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është iniciuar me miratimin në nivelet më të larta europiane dhe të Departamentit amerikan të Shtetit, në mënyrë që të bëhet sa më i plotë “rrethimi” i Kurtit në vorbullën e presionit ndërkombëtar.
Rama e pëlqen debatin dhe polemikën, por Milo thotë se “këtë herë është ndjerë keq se po godiste me gjyle të huaja muret e jashtme të Kosovës”. Ai e ka parë emocional – si “rrallë herë” – kryeministrin shqiptar në konferencën e fundit për media ku paralajmëroi se bashkësia euro-atlantike po përgatiste masa sanksionuese ndaj Kosovës.
Sipas ish-kryediplomatit shqiptar, “Kurti me siguri e ka lexuar e shqyrtuar” draftin e Ramës për Asociacionin, që ai thotë se “është draft europian” në thelb. “Kurti pohon të kundërtën dhe ai nuk do të deklarohet se e ka lexuar. Sepse ai në parim ndihet ‘i tradhtuar’ nga Rama që nuk e informoi atë paraprakisht dhe së dyti, që nuk e mbështet në rezistencën e tij kundër presioneve euro-amerikane”.
Gazeta Express: Çfarë ju thotë juve paraqitja e Ramës në konferencën për media të martën?
Paskal Milo: Paraqitja e kryeministrit Rama në konferencën e shtypit ishte tërësisht e sunduar nga ndjenja e shqetësimit dhe e përgjegjësisë. Rallë herë ai shfaq një profil kaq emocional. Ishte i ndërgjegjshëm por edhe i detyruar që të adresonte shigjeta kritike ndaj kryeministrit Kurti dhe qeverisë së tij. Frazat ishin të Ramës, thelbi i deklaratave ishin të Borrellit e pse jo edhe të Departamentit të Shtetit.
Rama e pëlqen debatin dhe polemikën por këtë herë është ndjerë keq se po godiste me gjyle të huaja muret e jashtme të Kosovës.
Gazeta Express: Çfarë efekti mund të ketë kjo paraqitje e Ramës ne raportin e tij me Kurtin?
Milo: Marrëdhëniet e Ramës me Kurtin janë karakterizuar gjithnjë me oshilacione, me pakënaqësi e mosmarrëveshje të ndërsjellta. Janë dy karaktere të ndryshme, Rama kozmopolit dhe Kurti nacionalist, ambiciozë për të lënë gjurmë e vulën e tyre në zhvillimet e botës shqiptare por edhe më gjerë. Kanë zgjedhur armë dhe aleatë jo gjithnjë për të njëjtin qëllim. Mendoj se është thyer ena e komunikimit normal mes tyre dhe do të duhet kohë që të mund të ngjiten copat e thyera të saj. Do të kemi më shumë diplomaci mes shqiptarësh sesa bashkëpunim vëllazëror.
Gazeta Express: A ia vlen ta shohë dhe ta shqyrtojë Kurti tani draftin e Ramës për statutin e Asociacionit? Kryeministri shqiptar tha se “është top”.
Milo: Platforma e Ramës për Asociacionin siç edhe ai e deklaroi nuk ka autorësinë e tij. Ata që e kanë hartuar mund të jenë specialistë të përkryer por përmbajtja e saj është miratuar në nivelet më të larta europiane, besoj edhe me miratimin e Departamentit të Shtetit. Pse u zgjodh Rama për të bërë rolin e iniciuesit të platformës? Për ta bërë sa më të plotë “rrethimin” e Kurtit, për të ushtruar presion sa më të madh ndaj tij. Vendet e tjera që e rrethojnë Kosovën, përjashto Serbinë, nuk kanë peshë e rol të madh në Ballkanin Perëndimor dhe as ushtrojnë influencë në opinionin shqiptar.
Drafti i Ramës në thelb është drafti europian. Kurti me siguri e ka lexuar e shqyrtuar. Kurti pohon të kundërtën dhe ai nuk do të deklarohet se e ka lexuar. Sepse ai në parim ndihet “i tradhtuar” nga Rama që nuk e informoi atë paraprakisht dhe së dyti, që nuk e mbështet në rezistencën e tij kundër presioneve euro-amerikane.
Gazeta Express: Me dështimin e mbajtjes së mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, a duhej ta pranonte Kurti një takim me Ramën në një tjetër format, siç iu kërkua?
Milo: Duhej ta pranonte takimin me format të reduktuar. Nuk ka rëndësi forma por përmbajtja. Te Kurti mbisundoi psikoza inatçore, krenaria e lënduar por edhe dyshimet që ai ushqen për disa veprime e qëndrime të Ramës, qoftë në rrafsh rajonal, qoftë në marrëdhëniet me perëndimorët.