Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Gazmend Syla, ka konfirmuar se autoritetet në Serbi kanë arrestuar ish-pjesëtarin e UÇK-së, Avni Qenaj, nga fshati Romajë i Prizrenit.
Sipas Sylës, Qenaj – ish-pjesëtar i brigadës 138 “Agim Ramadani” – është ndaluar gjatë kalimit në territorin serb, ndërsa dyshohet se organet e sigurisë serbe ia kanë gjetur kartelën e veteranit gjatë kontrollit.
Ai theksoi se Qenaj kishte kaluar disa herë më parë nëpër Serbi pa probleme.
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë njoftoi më herët se ka arrestuar një person të identifikuar me inicialet A.Q., të cilin e dyshon për “organizim dhe nxitje të kryerjes së gjenocidit dhe krimeve të luftës”.
Sipas autoriteteve serbe, i dyshuari dyshohet se iu bashkua shtabit lokal të UÇK-së në Prizren në prill të vitit 1998 dhe mori pjesë në luftimet e vitit 1999 në Koshare si anëtar i brigadës 138 “Agim Ramadani”.
Qenajt i është caktuar masa e ndalimit 48-orësh, ndërsa MPB e Serbisë ka njoftuar se ndaj tij do të dorëzohet kallëzim penal në prokurori.
Institucionet e Kosovës ende nuk kanë reaguar lidhur me këtë rast. Radio Evropa e Lirë ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Rastet e arrestimeve të qytetarëve të Kosovës në Serbi janë shtuar vitet e fundit, me pretendime të përsëritura të Beogradit për krime lufte të kryera nga ish-pjesëtarë të UÇK-së.
Në korrik të këtij viti, Serbia arrestoi edhe Lulzim Halilin, megjithëse OVL-UÇK atëbotë deklaroi se ai nuk figuron në listat e veteranëve apo pjesëmarrësve të betejës së Koshares.
Beteja e Koshares mbetet një nga përplasjet më të rëndësishme të luftës së 1999-s, me humbje të konsiderueshme në të dyja palët dhe domethënie të thellë historike për Kosovën dhe Serbinë.

