I zhdukur prej muajsh, policia merr të pandehur në mungesë Ervis Martinajn, kërcënoi me jetë një banor në Fushë Kuqe

Ndonëse rezulton i zhdukur prej datës 10 Gusht, Ervis Martinaj është marrë i pandehur në mungesë nga Prokuroria e Laçit për akuzën e kanosjes së një personi.

Ndaj tij është regjistruar një dosje në Gjykatën e Kurbinit, pasi akuzohet se në bashkëpunim me një person të identifikuar si Nikolin Nika kanë dhunuar dhe kërcënuar me jetë një banor të zonës.

Sipas Ora News, ngjarja ka ndodhur më 2 Tetor 2021 në Fushë Kuqe, ndërsa konflikti mes palëve ka nisur për një makinë të vjedhur në Fushë Kuqe.

Personi i dhunuar Nikoll Buna ka ka deklaruar para policisë se është kërcënuar me armë. Çështja ndaj Ervis Martinajt dhe Nikolin Nikës është regjistruar më 28 shtator të vitit 2022, pra disa javë pas zhdukjes së tij.

Nikolin Nika nuk ndodhet në Shqipëri pasi nga kërkimet e kryera rezulton se ndodhet jashtë shtetit. Nga ana tjetër Martinaj rezulton i zhdukur prej datës 10 gusht ndërkohë që gjurmët e tij të fundit janë regjistruar në qytetin e Shijakut.


Shtuar 25.10.2022 21:53