I vranë burrin dhe djalin, flet nëna e Gentian Beqirit: Çapjat bënë hatanë, e kthyen shtëpinë në kasaphanë

Zbardhet një prej dëshmive të dhëna në Gjykatën e Posaçme SPAK, në gjyqin kundër 6 të pandehurve Ardjan Çapja, Florenc Çapja, Olsi Leku, Ervis Bardhi, Klajdi Dokoli dhe Etien Canin, të cilët janë akuzuar dhe dënuar për vrasjen e babë e bir, Gentian dhe Nezir Beqiri.

Vendimi prej 205 faqe, i treshes së gjyqtarëve Etleva Deda, Irena Gjoka dhe Erjon Bani, është zbardhur duke pasqyruar të gjithë kronologjinë e gjyqit.

Tre nga të pandehurit si Ardjan Çapja, Florec Çapja dhe Olsi Leku, u dënuan me burgim të përjetshëm, bashkëpuntori i prokurorisë Ervis Bardhi me 15 vite burgim, ndërsa me nga 25 vite burg secili u dënuan Klajdi Dokoli dhe Etien Cani.

Sipas prokurorisë ditën e ngjarjes Etien Cani dhe Klajdi Dokoli, mbikqyrën lëvizjet e mamasë së viktimës, Behijes, kur ajo doli të bënte pazar. Ndërkohë, siç ishte  planifikuar më pare dhe financuar nga Çapjat, të pandehurit Ervis Bardhi dhe Olsi Leku, mbërritën në vendngjarje me autoveturën “Mercedes Benz”, të targuar me targat e vjedhura.

U ngjitën në banesën e viktimës Gentian Beqiri, në katin e pestë të pallatit. I ati i Gentit, Nezir Beqiri ndodhej ulur në një karrige në vendpushimin ndërmjet katit të pestë dhe katit të katërt, ku kishte dalë për ajrosje, raporton gazetari Elton Qyno.

Të dy u ngjitën në katin ku banonte viktima dhe derën e banesës e gjetën të hapur. Shtynë derën dhe hynë brenda, ku i pandehuri Ervis Bardhi, e qëlloi tre herë me pistoletë Gentian Beqirin. Ndërkohë, i pandehuri Olsi Leku, zbriti tek i ati i viktimës, e mori atë me forcë dhe e futi në banesë, ku këtu e goditi me shqelma, grushta e mjete mbretëse dhe për pasojë i shkaktoi dhe atij vdekjen.

Nëna e të ndjerit Gentian Beqiri dhe bashkëshortja e të ndjerit Nezir Beqiri, Behije Arapi, është paraqitur në gjykatën e posaçme SPAK, e cila është pyetur në cilësinë e dëshmitares të ngjarjes.

Behija ka treguar në seancë gjyqësore se hatanë në familjen e saj, e kanë bërë Çapjat ndërsa siç e quan ajo kasapanën e ka bërë Ervis Bardhi dhe Etien Cani.

Në dëshminë e saj ajo tregon se: “…ngjarja po bën 9 vjet që ka ndodhur. Unë kam dalë nga shtëpia në orën 08:30 të mëngjesit, për të bërë pazaret. Lashë zotërinë në shtëpi, kurse çuni ishte në “arrest shtëpie”. Kur vi në shtëpi unë gjej kasapanën.

Kishin vrarë edhe burrin. E kishin vrarë për së gjalli. Kur ika i thashë: “Mirë të gjetsha!”, “Mirëardhsh…!-më tha”. Kurse çuni po flinte se ishte me “Arrest shtëpie”. Unë vajta, mora karrocën e dorës dhe vajta bëra pazaret. I bëra shpejt e shpejt, se e kam shtëpinë tek “Sporti i Vjetër” edhe pazaret i kam aty afër edhe nuk u vonova shumë, nja treçerek ore.

Arsyeja që unë i thashë Nezirit, t’a mbylli derën është se djali im Genti, ishte i akuzuar nga shteti se kishte vrarë Sokol Çapjan. Por djali im Genti, nuk e ka vrarë Sokol Çapjave, por është akuzuar kot. Duke qenë se djali im akuzohej për një vrasje, kisha frikë se do e vrisnin dhe për këtë arsye derën e shtëpisë e mbanim mbyllur dhe nuk i’a hapnim asnjërit pa e njohur. Megjithatë, nga familja e Çapjave, ka patur presione, të cilët i kam vënë re dhe unë. Ata kalonin me makina para pallatit dhe flisnin dhe shanin në drejtim të Gentit. Ai i njihte ata, ndërsa unë nuk i njihja.

Në momentin që ika unë çuni po flinte gjumë, ishte tek dhoma e vet, kurse zotëria u zgjua, piu kafe dhe më përcolli mua tek dera. Bashkëshorti im më përcolli tek dera… Kur erdha unë për treçerek ore është bërë hataja. Kur vi unë shikoj rrethuar me makina policie.

Mua nuk më lanë policat që të hipja lart, se më thanë ç’farë do shohësh, se nuk kishin ik, ata ishin ende aty. Pastaj erdhi ambulanca, erdhi nga Tirana që i morën dhe i çuan në spital.

Dua të theksoj se kur dola nga shtëpia ishin policët që e ruanin Gentin. Unë këtë çuditem, policët ishin aty, pse i lejuan që të hynin?! ..Nuk ishin lart, poshtë ishin, poshtë fare. Unë e kam shtëpinë në kat të pestë. Kurse policët poshtë. Ndonjëherë shkonin pinin dhe tek klubi. Ishin rehat, madje nga fundi “…e kishin kall fare…”.

Jo ashtu, se është gjynah baba e bir, plakun sidomos. Zotërinë m’a kanë vdekur përsëgjalli. Kur iku atje, unë nuk isha, m’a thanë të tjerët, merrte frymë. Akoma nuk i kishte dalë shpirti.

Mua më kanë thënë diçka që ka qënë një person, që ka qënë gjithmonë aty në ruajtje. Se çfarë ka bërë ai se çfarë ka ruajtur ai nuk e di. Nuk flas me emra, nuk e di emrin.

Nga banesa dilja vetëm unë që bëja pazaret. Djali dilte pak aty në kat të pestë, aty tek karriget, se mërzitej… Dilja dy herë në javë, me karrocë në dorë. Nuk dilja përditë… Dilja për të hënë dhe për të mërkurë… Në një orar dilja, në mëngjes gjithmonë. Gjithmonë 08:30- 09:00…

Djali ka pasur disa ngatërresa me këto kundërshtarët nuk i përmend dot emrin. Kundërshtarët janë këto Çapjat. Me këto që më bënë hatanë. Këto e bënë, se kush e bëri. Kush i futi ato, madje ka qënë ai i vëllai i këtyre, Ardjan Çapja.

Këto kanë pasur një fërkim, djali im me këto Çapjat. Nëntë vite po bëhen që ka ikur ai. Ato patën një fërkim një zënie bashkë. Po pinin në tavolinë dhe aty janë zënë. Nuk ishte vetëm djali im, ishte edhe një tjetër. Ai tjetri është në burg, Shemsi e ka mbiemrin. Ato ishin në një tavolinë edhe aty kanë pasur debate, kanë qënë shokë edhe një ka qënë nga këto. Ky është realiteti, se kush u’a bëri atyre nuk e di…

Ai Etien Cani, ai që i ka hapur derën, se vetëm atij i hapej dera.Ai hapi derën edhe të tjerët hynë edhe bënë kasapanën. Punonjësit e policisë vinin tek banesa, tani nga fundi, të them të drejtën. Banesa ruhej tre turne.

Atë ditë që ka ndodhur vrasja, një polic i vetëm ishte poshtë. “…hë po ikën…?” më tha mua ky. “…po iki të bëj pazaret si përherë…”-i thashë. “Do vonohesh…?”-më tha mua. “…Si përherë…”- i thashë unë. Tek hyrja e pallatit kam pasur një garazh aty unë. Tek garazhi rrinin, ishte aty poshtë dhe qe mbështetur tek makina e vet…

Të afërm tek ne për vizitënuk vinin. E besoni që më ka ardhur vajza nga Italia edhe bashkëshorti, e ka lënë përjashta, se nuk e hapte derën në botë. Nuk e hapte derën kurrë. Vetëm këtij i hapej dera, këtij çunit, këtij dhe atij tjetrit. Atij të kompjuterave edhe këtij Etien Canit. Ky e ka bërë të gjithë.

Dera i hapej Etien Canit, dhe atë tjetrin e quanin E.Sh. Ai gjasme vinte, i prishej kompjuteri djalit se mërzitej, atij i hapej dera dhe madje kur ka hyrë, ka hyrë me forcë, i ka thënë policëve unë do hyj se s’bën. Policët i kishin thënë nuk do hysh. Ai kishte hyrë me forcë edhe atë ditë u bë hataja. E hapi ky Cani. Ky e ka hapur derën 100 për qind. Mua më vini prangat ime, se unë nuk kam ç’farë e dua jetën më, por jam shumë e sigurt, derën e ka hapur Etien Cani, mbrapa ka qënë ky tjetri.…Ja ku është Etien Cani, ai matanë (drejton me gisht në vendin ku ndodhen të pandehurit Etien Cani dhe Ardjan Çapja).

Megjithëse kanë kaluar 9 vjet, po prap më është i fiksuar që ju harroftë emri aty ku është, se dhe e ushqeva aq e kam mbajtur këtë unë edhe atë të kompjuterave, me të ngrënë më të pirë me të gjitha. Ky person ishte i lagjes aty. Kanë qënë shok të njohur të djalit, të Gentit. Etieni i ka ardhur pothuajse përditë…

Natën e fundit djali tha:

“…nuk më erdhi, thirri sonte….”-tha.

I thash unë:“…Kush e di. Merr njëherë në telefon….”,

“…O Etien, pse nuk erdhe sot ti…?”-i tha djali.

“Nuk po vi, se nuk kam fuqi, më flihet, Nuk vij sonte…”-i tha Etieni.

Etien Cani vinte me një gocë, e kishte për vete…Rrinin  “…një copë here…” dhe iknin…Përveç Etien Canit, ka pas ardhur edhe Ervisi, ju duhet t’a keni të shkruar aty. Gjasme vinte rregullonte kompjuterin. Një i gjatë, i dobët… Policat nuk e kanë lënë, i ka hyrë më forcë.

Mbyti plakun përsëgjalli. A ka qënë ndonjë tjetër? Dy? Nuk e di. Ai një herë Ervisi është e sigurt. Por s’po më kujtohet mbiemri atij. T’a thotë pak ai se e ka pasur shok të ngushtë (drejton gishtin nga i pandehuri Etien Cani.

Burri im nuk dilte nga banesa asnjëherë. Mund t’a kem nxjerrë nja dy, tri herë, që nuk isha vetë mirë, me tension të lartë që merrte vetëm qumështin… unë nuk e kam lënë kurrë djalin vetëm, vetëm kur bëja pazaret. Të thashë, dy herë në javë bëja pazaret edhe atëherë e mbyllte burri derën nga brenda me llozë, dhe i thoja: “…O Nezir mbylle derën mirë të keqen Hajria…” “…Po, po e mbyll ç’farë halli ke ti…”-më thoshte mua.

 


Shtuar 12.07.2023 09:40