I vendoset emri “Omicron”, OBSH e cilëson shqetësues variantin e ri

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka cilësuar mutacionin e ri të koronavirusit “variant shqetësues.”

“U mbajt një takim sot me OBSH-në dhe grupin teknik të punës për evoluimin e virusit dhe është rënë dakord që të klasifikohet ky variant si një variant shqetësues,” u shpreh Dr. Mary Stephen, oficere teknike në Zyrën Rajonale të OBSH-së për Afrikën.

Grupi Këshillimor Teknik i OBSH-së për Evoluimin e virusit SARS-CoV-2, një grup i pavarur ekspertësh, u mblodh të premten për të diskutuar rreth variantit të ri. Këshilltarët rekomanduan që OBSH të caktojë variantin si “shqetësues”, duke iu referuar numrit të madh të mutacioneve.

Po ashtu, në një deklaratë, OBSH bëri të ditur se variantit të ri i është vënë emri Omicron. Varianti u zbulua fillimisht nga autoritetet shëndetësore të Afrikës së Jugut dhe ka ngjallur një reagim të fortë në të gjithë botën. /abcnews.al/


Shtuar 26.11.2021 20:04