I tha Berishës në sy hap krahun, Kadilli zbulon çfarë ndodhi më pas

Mbrëmjen e sotme emisioni “LOG.” u fokusua te zhvillimet brenda partisë Demokratike, që është mes dy kuvendeve dhe valës së shkarkimeve pas 11 Dhjetorit. Situata sot u tensionua dhe shkoi deri në përplasje pasi grupi i Sali Berishës, i quajtur Komisioni i Rithemelimit të PD-së shkoi në selinë blu për të zhvilluar mbledhjen e parë, teksa brenda ishte edhe Lulzim Basha.

Por si i komentojnë këto zhvillime analistët?

Për Mentor Nazarkon, Berisha ka të drejtë të shkojë te selia e partisë së tij. “Mori tone dramatike, por u paratha. Berisha kishte një thirrje pardje, mblidhuni bashkë te shtëpia e mendimit. Por duhet të ishte një zhvillim normal. Ai ka të drejtë të shkojë te partia e tij. Partia nuk duhet t’i ketë dyert e mbyllura për ata që janë në front me kryetarin. Nuk e di kush e dha shkëndijën që të kishte tone dramatike. Rikthimi i raportit me të vërtetën duhet të kishte ndodhur më përpara për ta futur Bashën në hullinë e një lideri të vërtetë” tha ai.

Artur Zheji u shpreh se Sali Berisha i bëri një të mirë dhe të keqe vetes. “Doktorit i duhej një event masiv për të thënë se “unë jam ai që lëviz ujërat” prandaj nuk bëhen hesapet me mua si një pensionist. Ka dalë në profilin e tij “3D” me mbështetje, influencë. Por i ka bërë edhe një dëm vetes, sepse ka treguar fuqinë e tij të vërtetë, që ka qenë e nëndheshme kur ishte Basha kryetar. I ka bërë një të mirë vetes që “shiko kush jam unë, negocioni ndryshe”, nga ana tjetër ka treguar fuqinë e tij të vërtetë”.

Botuesi Fahri Balliu e cilësoi Kuvendin Kombëtar të Sali Berishës diamant. “Në jetën politike shqiptare që mund të përshkruhet si kënetë mashtrimi dhe korrupsioni dhe një bashkëpunimi nga peng-kryetari Basha, vetë Kongresi, kuvendi është një diamant që do të ndihet shumë shpejt në ditët dhe muajt e ardhshëm. Ai ishte drejtuar kundër Ramës dhe në punë e sipër zgjidh edhe problemet brenda PD-së. Sot ishte një procedim normal që u paralajmërua me shumë kulturë dhe edukatë nga Berisha dhe gjithçka që ndodhi aty me grupin e rithemelimit. Përsa i përket bravave dhe zyrave të shqyera në stilin e një mendësie guerrilase dhe staliniste janë pjesë shumë e largët. Ka rrezik ti kenë marrë nja 200 e ca euro dhe hajt ti gjesh ato” tha ai për Belind Këlliçin, i cili denoncoi vjedhjen e disa materialeve dhe sendeve në zyrë.

“Berisha ishte i qetë dhe shumë i moderuar. Basha në përgjithësi është i qetë, por tani momenti, retorika është në funksion të diçkaje politike. Ai po konfiguron përkrahësit, se po të bënte luftën brenda PD do të shkonte në Kuvend. Një lider që mendon që nuk duhet të jetë atje ku pjesa e militantëve është, është mangësi për atë” tha Agim Nesho.

Pjesë e kuvendit të 11 Dhjetorit ishte edhe Fatbardh Kadilli, ish-kandidat për kryetar të PD-së, i cili i kërkoi Sali Berishës në sy që të hapte krahun për brezin e ri. Por cfarë ndodhi më pas? “Pati një moment kur atakova Berishën dhe modelin e tij dhe ftesën që të mos rikthehet në krye të PD-së. Në stadium kishte delegatë por edhe tifozë të Berishës. Ishte më i ashpër reagimi në Këshillin Kombëtar kur sfidova Bashën sesa kur fola në stadium për Berishën. Unë nuk vajta për Berishën, shkova për t’u folur demokratëve dhe në 18 nëse do të ketë Kuvend unë do të shkojë për t’u folur demokratëve”.

Nuk ju shau kush? “Jo, jo! Më jepnin dorën. Kjo e sotmja ishte një teatër, fajësoj Bashën që nuk lëshoi karrigen kur humbi zgjedhjet për herë të pestë radhazi” theksoi Kadilli.

I pyetur nëse do të votoni në referendumin që ka iniciuar Sali Berisha në 18 Dhjetor për shkarkimin e Bashës, Kadilli tha se “Largimin e Bashës e kam kërkuar me zë, përpjekje dhe garë. Jam i gatshëm për aktet politike që shkarkojnë Bashën. Berishën nuk e dua të rikthehet, por është Basha që e futi partinë në këtë ngërç”. /Abcnews.al