Policia e Shtetit, ka bërë të ditur se pasditen e sotme do të finalizojë me sukses ekstradimin nga Emiratet e Bashkuara Arabe të Florenc Çapjes, 44-vjeç, një nga personat më të kërkuar ndërkombëtarisht nga drejtësia shqiptare.
Pritet që ai të mbërrij në aeroportin e Rinasit ditën e sotme rreth orës 16:00.
Sipas njoftimit zyrtar, ekstradimi i Çapjas është bërë i mundur falë shkëmbimit të informacionit operativ, ndërmjet strukturave të specializuara dhe agjencive të huaja ligjzbatuese.
Florenc Çapja, i cili prej kohësh fshihej në Dubai, është i dyshuar për një sërë veprash penale, mes tyre porosi vrasjeje dhe përfshirje në aktivitete kriminale që shtrihen përtej kufijve të Shqipërisë.
Çapja është i akuzuar nga SPAK si porositës i vrasjes në 2012 të babë e bir Nezir dhe Gentian Beqirit në Elbasan.
Njoftimi i policisë:
Policia e Shtetit, në vijim të bashkëpunimit mjaft të mirë me partnerët, si në aspekte hetimore, ashtu dhe në ato operacionale, dhe si rezultat i shkëmbimit të menjëhershëm të informacionit mes strukturave të specializuara për lokalizimim dhe kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimin, pasditen e sotme, do të finalizojë me sukses një tjetër fazë të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”.
Në kuadër të këtij operacioni, pritet që pasditen e sotme, të finalizohet me sukses ekstradimi nga Dubai, i të shumëkërkuarit Florenc Çapja, 44-vjeç, banues në Elbasan.
Për informacion më të detajuar, do të japim njoftim në momentin e finalizimit të operacionit të ekstradimit në Rinas.