I shpëtoi jetën dy adoleshentëve në Shëngjin, rrëfimi i heroit Robert Neçaj: Më lanë aty, askush s’më ndihmoi (FOTO LAJM)

Heroi i cili i shpëtoi jetën dy fëmijëve të mitur, vëlla e motër në Shëngjin, Robert Neçaj, ka reaguar për herë të parë pas aktit të tij të madh.

Vrojtuesin e plazheve i cili mori titullin “hero”, ka rrëfyer momentet e vështira në det të hapur dhe sakrificat për të shpëtuar jetën e dy personave dhe të tijën.

Neçaj rrëfeu se kishte marrë disa goditje nga adoleshentët nga Kosova teksa tentonte t’i nxirrte lart e për pasojë ishte zhytur në ujë disa herë.

Pasi arriti të shpëtonte të miturit, ai vetë përfundoi në spital pa shenja jete, pasi askush nuk po ofrohej për ta ndihmuar kur ndodhej në vështirësi.

Ai shtoi se nuk i ka takuar më adoleshentët që shpëtoi dhe as familjarët e tyre, si dhe nuk ka marrë asnjë falenderim nga ata. Por megjithatë ai shprehet i limtur për atë që bëri.

“Ishin futur në një zonë shumë të rrezikshme, vajza po i thërriste vëllait të kthehej. Vëllai po dridhej, kishte kriza epilepsie. Motra po përpiqej të shpëtonte vëllanë. Papritur sulmohem nga motra me mjetin e shpëtimit që i kisha dhënë. Ishte goditje e pavullnetshme, ajo ishte duke u mbytur, u trondita. Më tej motra na zhyti të dyve në përpjekje për të shpëtuar. Më pas u godita edhe nga vëllai. Gjatë kthimit për në breg bie pa ndjenja në ujë, bien në dy gjunjë, dhe bie me fytyrë në ujë. Pasi i nxora me këmbë në tokë ata u larguan të dy nga vendi. Pasi rashë në ujë, s’më ndihmoi askush, ata ikën. Me sa duket kanë qenë duke u larë në një tjetër plazh, s’e di ku kanë qenë. Fëmijët janë larguar, ndoshta nga paniku, apo duke më parë mua në gjendje të rëndë, por fëmijëve s’u vë faj. Duke u zvarritur dola në breg, përfundova pa ndjenja”, ka rrëfyer ai për mediat./albeu.com/