Julian Sulo, i njohur si “Juli i Pashakos”, i shpëtoi një atentati me armë zjarri një ditë më parë në Lushnje. Mësohet se 45-vjeçari mbeti i plagosur në këmbë.
Por në dëshminë e tij, ai ka deklaruar se, “nuk i njeh personat që e qëlluan dhe madje nuk ka konflikte me askënd”.
Ngjarja
Julian Sulo, i njohur si i forti i Lushnjës i ka shpëtuar një atentati të organizuar ndaj tij në afërsi të spitalit të qytetit. Ai po lëvizte me makinën e tij tip ‘BMV’ në afërsi të spitalit të Lushnjës, kur 3 autorë ende të paidentifikuar i kanë zënë në pritë dhe kanë qëlluar në drejtim të tij me breshëri kallashi.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:40, ndërsa 45-vjeçari Sulo ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Plumbat e kallashit që u derdhën drejt makinës së tij e kanë kapur në këmbë, ndërsa ishte i vetëm në mjet. Autorët kanë qenë në makinë në momentin e qitjes dhe kanë qëlluar në lëvizje.
Pak minuta pas atentatit, mjeti i autorëve ‘Nissan’ u gjet i djegur në fshatin Lifaj. Brenda tij është gjetur edhe arma që kanë përdorur për të qëlluar në drejtim të 45-vjeçarit.
Policia ngriti menjëherë pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit, ndërsa grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve, te cilat lidhen me konfliktet e hershme mes grupeve kriminale të Lushnjës.


