I shoqëruar nga Fredi Beleri, Berisha para shqiptarëve në Athinë: Marrëveshja e detit ishte më e mira

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar një takim me shqiptarët në Athinë. Gjatë fjalës së tij, ish-kryeministri vlerësoi dhe falënderoi grekët të cilët pritën me bujari të madhe qindra e mijëra emigrantë shqiptarë.

“Por unë dua të përulem me nderimin më të madh sot, para qytetarëve grekë të këtij qyteti, sepse miq, sepse Athina në këto vite ka treguar zemrën më të hapur, bujarinë më të madhe ndaj shqiptarëve”, tha Berisha, i cili në këtë takim përpos deputetëve demokratë u shoqërua edhe nga eurodeputeti Fredi Beleri si dhe Vangjel Dule.

Ndër të tjera, Berisha u ndal dhe të marrëveshja e detit që PD firmosi gjatë periudhës kur ishte në pushtet. Këtë marrëveshje ish-kryeministri e cilësoi si më të mirën që Shqipëria ka bërë ndonjëherë me Greqinë.

Ai theksoi se kjo marrëveshje ishte e drejtë dhe e barabartë për të dyja palët, duke theksuar se asnjëra nga palët nuk do të dilte humbëse.

“Unë ju them këtu vëllezër dhe motra, ajo është marrëveshja më e mirë që ka firmosur Shqipëria ndonjëherë me fqinjët e saj. Natyrisht do të ishte absurde që të firmosej një marrëveshje që Greqia të humbiste dhe Shqipëria të humbiste.

Ja pra që ka një marrëveshje kur fitojnë të dy palët dhe nëse kishte marrëveshje që fitonin të dy palët ishte marrëveshja që bëmë ne për zonat ekonomike dhe detin”, tha Berisha.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Partia Demokratike u themelua në vitet ’90, por ju nuk duhet të harroni se mbështetësi i parë i opozitës shqiptare, mbështetësi i parë i pluralizmit politik në Shqipëri nga arena ndërkombëtare ka qenë Kostandin Mitsotaqis, i cili do të ishte kryeministri i parë që do të takonte lidershipin disa javor të PD-së.

Kostandin Mitsotaqis ishte kryeministri i parë në Europë dhe botë që do të priste në Selanik, Ibrahim Rugovën.

Panorama e marrëdhënieve tona është padiskutim panorama e dy kombeve mike, e dy vendeve mike.

PD në këtë rast dua të theksoj, se marrëdhëniet mes dy fqinjëve nuk janë asnjëherë linare, njohin uljet dhe zbritjet, por në çdo kohë në pushtet, PD me qeverinë e këtij vendi ka njohur një dialog konstruktiv dhe një vullnet për të dialoguar pa asnjë tabu për çdo çështje.

Ky vullnet bëri që në mars 1996 të firmosnim me presidentin e Greqisë, Stefanopullos traktatin e miqësisë dhe bashkëpunimit.

Traktat që u jepte përgjigjen ligjore më të mirë, të gjitha marrëdhënieve mes dy vendeve, probleme që duheshin zgjidhur dhe të ardhmes së shkëlqyer të këtyre marrëdhënieve.

PD po në këtë frymë, rikthyer në pushtet firmosi me autoritetet e këtij vendi, marrëveshjen e detit.

Unë ju them këtu vëllezër dhe motra, ajo është marrëveshja më e mirë që ka firmosur Shqipëria ndonjëherë me fqinjët e saj.

Natyrisht do të ishte absurde që të firmosej një marrëveshje që Greqia të humbiste dhe Shqipëria të humbiste.

Ja pra që ka një marrëveshje kur fitojnë të dy palët dhe nëse kishte marrëveshje që fitonin të dy palët ishte marrëveshja që bëmë ne për zonat ekonomike dhe detin.

Këtë marrëveshje e përmbysi Edi Rama. Jo vetëm e përmbysi marrëveshjen, por kur gjykata e hodhi poshtë, qeveritë greke për hir të së vërtetës e qendrës së djathtë dhe të majtë respektivisht, ramë dakord që të shkonim në Hagë, sepse në Kushtetutë ligji ndërkombëtar mbizotëron dhe të merrnim sanksionim në Gjykatën e Hagës.

Çfarë bëri? Jo tha. Do të bëjmë një marrëveshje më të mirë. U tregua një sharlatan, negocioi tre vite dhe në fund i thotë ministrit të Jashtëm se, nuk e firmosim dot, se kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Ju garantoj ju se ajo marrëveshje me PD-në në pushtet do të finalizohet dhe marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë do të jenë shumë të mira.


Shtuar 23.02.2025 20:02