I përfundon mandati në mars 2025, Gjykata Kushtetuese shtyn vendimin për Holta Zaçajn

Shtyhet për të dytën herë mbledhja e Gjykatës Kushtetuese, për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtares Holta Zaçaj.

Gjatë mbledhjes, u administrua praktika e Gjykatës së Lartë, kur Zaçaj ka aplikuar për vendin vakant dhe më pas është zgjedhur si gjyqtare Kushtetuese.

Po ashtu, është administruar edhe vendimi i kryetarit të Gjykatës së Lartë për shpalljen e vakancës, për zgjedhjen e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese.

“Gjykata vlerësoi që aktet në fjalë t’i komunikohen gjyqtares Holta Zaçaj, njëherazi edhe Kryetarja e Gjykatës, e cila ka vënë në lëvizje këtë proces, me qëllimin për t’u njohur dhe për të vlerësuar paraqitjen e një opinioni me shkrim në lidhje me to”, njoftoi Gjykata Kushtetuese.

Mes këtij institucioni dhe gjykatës së lartë, është shkaktuar një konflikt për faktin se Holta Zaçaj, pretendon se mandati i saj mbaron në fund të vitit 2025 dhe për këtë ka kërkuar edhe mendim nga Komisioni i Venecias.

Ndërsa Gjykata e Lartë ,thekson se mandati i Zaçajt përfundon në mars të 2025 dhe për këtë arsye 3 muaj përpara vendosi të shpallë vakancën.

Njoftimi:

Gjykata Kushtetuese u mblodh sot, më datë 16.12.2024, ora 11:00, për shqyrtimin e kërkesës së Kryetares së Gjykatës Kushtetuese për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtares Holta Zaçaj.

Gjykata administroi praktikën dokumentare të Gjykatës së Lartë, që ka shoqëruar procedurën për plotësimin e vendit vakant dhe zgjedhjen e zonjës Holta Zaçaj si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, si dhe njoftimin e Kryetarit të asaj gjykate për hapjen e procedurës për zgjedhjen e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese, të cilat, mbi bazën e kërkesës së Gjykatës, janë dërguar zyrtarisht nga Gjykata e Lartë ditën e premte, datë 13.12.2024, ora 16:30.

Gjykata vlerësoi që aktet në fjalë t`i komunikohen gjyqtares Holta Zaçaj, njëherazi edhe Kryetarja e Gjykatës, e cila ka vënë në lëvizje këtë proces, me qëllimin për t`u njohur dhe për të vlerësuar paraqitjen e një opinioni me shkrim në lidhje me to.

Për këto arsye, Gjykata vendosi të shtyjë seancën për ditën e nesërme, datë 17.12.2024, ora 13:00.


Shtuar 16.12.2024 14:30