I pandehur si anëtar i grupit kriminal për hakerimin e SPAK-ut, ish-kreu i Burgjeve Agim Ismaili paraqitet në GJKKO

Këtë të enjte, ish-drejtori i Burgjeve Agim Ismaili, është paraqitur në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion (GJKKO). Ai është nën hetim nga SPAK, për sulmin kibernetik ndaj institucionit të drejtësisë.

Hetimi ndaj Ismailit po zhvillohet për veprat penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Sistemi kompjuterik i SPAK, u sulmua më 12 mars dhe u zbulua disa ditë më vonë. SPAK bëri me dije më 3 prill se ishte vënë në shënjestër të një ndërhyrje të paligjshme të adresave të email-ve të prokurorëve të posaçëm. Në njoftim nënvizohej se nuk u arrit të ndërhyhej në sistemin e brendshëm të Strukturës së Posaçme.

Sipas SPAK, autorët kishin arritur të merrnin disa informacione, por pa mundur të sigurojnë akses në dosje hetimore.

Sipas njoftimit të SPAK, u tentua të ndërhyhet edhe në email-in e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani.

Në hetimet e para u identifikuan si përgjegjës dy persona të cilët u arrestuan, ish-drejtori i paraburgimit të Vlorës, Zambak Gjoni dhe ish-punonjësi i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, Arnold Rrokaj.

Dy të arrestuarit, dyshohet se i kanë shpërndarë të dhënat dhe tek persona të tjerë që po verifikohen për rolin e tyre në këtë ngjarje.


Shtuar 5.02.2026 10:52