I ndjeri Jorgo Papingji dhe pensioni që nuk e fitoi për shumë vite si “Mjeshtër i Madh”

I ndjeri Jorgo Papingji, poeti dhe artisti i muzikës shqiptare, i cili u largua nga jeta ditën e djeshme, ka lënë pas kujtime që nuk do të harrohen lehtë nga memorja e publikut shqiptar, që u rrit dhe zhvilloi kulturën me tekstet e tij.

Papingji pak vite më parë i ftuar ne Vizion Plus, foli për jetën e tij, e ndër të tjera përmendi se 8 vite pasi mori çmimin “Mjeshtër i Madh” nuk erdhi kurrë në dorën e tij pensioni i veçantë që duhet të merrte për hir të punës dhe titullit. Por, sapo e deklaroi atë gjatë intervistës, mundi ta gëzonte pak vite jetë që i kishte mbetur.

“Unë nuk e kam kuptuar asnjëherë pse më ka ngelur peng. Ka lidhje me vlerësimin e punës sime, jo me vlerësimin formal se i kam marrë të gjitha, çmime, vlerësime, letra , fleta nderi, fleta lavdërimi. Nuk e kam kuptuar asnjëherë, kam tetë vite që kam marrë titullin ‘Mjeshtër i Madh’ dhe gjatë këtyre tetë viteve nuk ka dalë ende vendimi që unë të marr pensionin e veçantë. Unë nuk e di dhe nuk besoj që jepet pas vdekjes. Në një moshë që jam unë do ta kisha marrë atë pensionin. Nuk e di arsyen, cila është mënyra e vlerësimit, kush e pengon këtë gjë! Dua të them që më jepet apo nuk më jepet pensioni i veçantë unë pensionin e marrë në çdo takim me njerëzit, në çdo tavolinë që rri me njerëzit , në çdo rrugë që kaloj, me mijëra përshëndetje nga njerëzit e thjeshtë dhe të natyrshëm. I lutem atij që e ka në dorë këtë punë, të më thotë çfarë duhet të bëj unë tjetër akoma, për të arritur të marr pensionin”, është shrehur në 2019 poeti, tashmë i ndjerë Jorgo Papingji.

Kush ishte Jorgo Papingji

Ai ka lindur në Vlorë më 10 qershor të vitit 1942 dhe është autor e poet shqiptar, i njohur për këngët e tij të shumta. Papingji është një nga emrat më përfaqësues të muzikës shqiptare, qoftë popullore, të përpunuar apo asaj të lehtë, ku me anë të teksteve të shumta, të shtrira në kohë, ka krijuar një profil krejt të veçantë poetik e artistik.

Fjalët e teksteve të tij kanë një komunikim të gjerë me shikuesit e shumtë, në të katër anët e Shqipërisë dhe të botës shqiptare, kudo ku flitet shqip, ku emri i tij është një emër i mirënjohur e i nderuar, që iu thotë aq shumë adhuruesve të këngës, në të gjitha moshat dhe nivelet e shoqërisë shqiptare.

Tekstet e tij të kompozuara nga kompozitorë të shquar dhe kënduara nga këngëtarë e këngëtare sharmante janë bërë hite, sidomos disa këngë të mirënjohura festivalesh dhe ciklet e këngëve për fëmijë, ku stilizohen në mënyrë poetike lojërat e shumënjohura fëmijërore.

Që në moshë të njomë, në mbarim të klasës së katërt fillore, Jorgo Papingji nisi të merret me poezi dhe shkrime, duke kontribuar dhe në dy gazetat e shkollës, njëra humoristike dhe tjetra serioze, me krijimtarinë e tij, sidomos në lëmin e poezisë, ku emri i tij ishte ndër emrat kryesorë.

Si tek të gjithë poetët, poezia e tij merr rrugë me fletoret intime të vjershave, me vargjet e para për dashurinë, për vete apo për ndonjë shok a shoqe që ia kërkonte, shkëmbimi i mesazheve me anë të vargjeve, një modë tanimë e harruar.
Për herë të parë botoi në gazetën “Zëri i rinisë”, një cikël me poezi dhe që nga ajo kohë ai dhe poezia ishin miq të ngushtë e të pandarë.

Bashkëpunimi i parë i Jorgos si autor teksti ka qenë me kompozitorin e shquar Aleksandër Lala në këngën që bëri aq shumë bujë në atë kohë “A ta fshij apo ta gris”; ishte një këngë për fëmijë, që aso kohe ngjalli shumë reagime pozitive dhe emocione estetike.

Me kompozitorin Lala, Papingji pati një bashkëpunim të gjatë e të frytshëm, falë shijeve të përbashkëta artistike, për të përcjellë këngë me një fluks të gjerë mesazhesh dhe ngarkesash emocionale.

Mbi katër mijë tekste këngësh kanë qarkulluar që atëherë e deri tani me autor Jorgo Papingjin, duke bërë që emri i tij të jetë një emër i dashur për njerëzit, të cilët janë aq të lidhur me këngën dhe poezinë që e bashkëshoqëron, duke e identifikuar autorin e këtyre teksteve me mesazhet e ngrohta e të çiltra që burojnë nga thellësia e zemrës poetike, me një lirizëm të gjallë e spontan.


Shtuar 22.03.2024 13:26